Prania e Milan Radoiçiqit në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc është cilësuar nga Qeveria e Kosovës si një tjetër provë që tregon përfshirjen direkte të shtetit serb në sulmin e armatosur të ndodhur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.
Të lidhura
None found
Në një komunikatë për Radion Evropa e Lirë, ekzekutivi kosovar theksoi se pamjet e transmetuara nga mediat serbe vërtetojnë se sulmi, ku humbi jetën një polic i Kosovës, ishte “planifikuar, financuar dhe organizuar nga shteti i Serbisë”.
Radoiçiqi, i cili më parë mbante postin e nënkryetarit të Listës Serbe, ka marrë përsipër përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë. Autoritetet kosovare e kërkojnë atë, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë vendosur nën sanksione për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Pamjet e publikuara nga televizioni serb N1 tregojnë Radoiçiqin më 9 tetor në Kragujevc, në afërsi të Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, gjatë një mbledhjeje të SNS-së.
Sipas Qeverisë së Kosovës, këto pamje “do të duhej të ishin alarm për BE-në dhe vendet e tjera perëndimore”, duke nënvizuar faktin se Serbia nuk po e dorëzon Radoiçiqin që ai të përballet me drejtësinë në Kosovë.
“Milan Radoiçiq jo që nuk dorëzohet tek autoritetet tona nga shteti i Serbisë për të dhënë përgjegjësi para drejtësisë sonë, lëre që nuk ndiqet as nga shteti atje, por madje e shoqëron dhe e siguron djali i presidentit atje”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Edhe figura të tjera të larta institucionale në Kosovë kanë shprehur shqetësim. Albulena Haxhiu, kryetarja e Kuvendit, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të japë një përgjigje të qartë dhe të ushtrojë presion të prekshëm mbi Serbinë për shkak të mosdorëzimit të Radoiçiqit.
Ajo vuri në dukje se prania e tij në një tubim të partisë qeverisëse serbe ngre pikëpyetje serioze mbi përgjegjësinë politike të autoriteteve në Beograd dhe mbrojtjen që, sipas saj, ai gëzon në rrethet e pushtetit.
Haxhiu kërkoi gjithashtu që kërkesa për dorëzimin e Radoiçiqit dhe të personave të tjerë të kërkuar për sulmin në Banjskë të pasohet me masa konkrete dhe pasoja për Serbinë nëse ajo refuzon të bashkëpunojë.
Ndërkohë, edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj paraqitjes së Radoiçiqit, duke e lidhur atë me deklaratën e zëvendëskryeministrit serb Ivica Daçiq se “herët a vonë flamuri serb do të valojë në Prizren”.
Konjufca theksoi se këto zhvillime nuk janë provokime të izoluara dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të mbajë Serbinë përgjegjëse.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i dënojë pa mëdyshje këto veprime dhe të kërkojë përgjegjësi. Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, dhe as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, shkroi ai në platformën X.
Kosova ka kërkuar në mënyrë të përsëritur nga Serbia që të dorëzojë Radoiçiqin për t’u përballur me drejtësinë lidhur me sulmin në Banjskë, por ai vazhdon të qëndrojë i lirë në territorin serb.







