E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Flutura Açka foli për zhvillimet politike në vend, reformën, përplasjet brenda Partisë Demokratike dhe mënyrën se si opozita po përballet me qeverinë e Edi Ramës.
Ajo shprehu kritika për procesin e diskutimit të reformës, duke vënë në dukje se, megjithëse janë zhvilluar 120 takime, ende nuk është paraqitur një draft konkret. Sipas Açkës, vëmendja duhet të ishte përqendruar te përmbajtja e reformës dhe jo te takimet, të cilat i cilësoi si një proces formal pa rezultate të dukshme.
Të lidhura
None found
“Nëse nuk ke ndërmend ta votosh, nuk ka kuptim ta deklarosh këtë kur ke qenë i rreshtuar për 13 vjet dhe ke votuar gjithmonë. Nuk mund të kujtohesh tani të luash rolin e disidentit. Ndoshta e ka pasur edhe seriozisht, por rëndësi ka veprimi. Duhet ta bësh aktin dhe të largohesh me nder, sepse një qëndrim i bërë publik duhet mbajtur deri në fund”, u shpreh ajo.
Açka tha se seria e takimeve ngjante me “parjen e nuses me dhëndrin”, ndërsa pyeti se ku ishte drafti i reformës. Sipas saj, takimi i 1 tetorit u duk më shumë si një favor i ndërsjellë dhe debati duhej të ishte zhvilluar mbi reformën, jo mbi formën e procesit.
Duke folur për Partinë Demokratike, ajo tha se në këtë forcë politike vëren një përçarje të qartë. Açka deklaroi se PD duhet të kërkonte ndjesë edhe për reformën territoriale, ndërsa kujtoi se 83 mandatet e saj në Kuvend janë marrë në vitin 2024. Sipas saj, disa prej personazheve aktualë nuk duhet të ishin pjesë e Parlamentit.
Ajo vlerësoi se PD kishte mundësinë të përgatitej për të marrë pushtetin, nëse do të përfshihej në një reformim të thellë, por shtoi se Sali Berisha duhej të ishte tërhequr nga drejtimi i partisë. “Ne nuk jemi bashkë sepse jemi ndarë për një kauzë. Drejtuesi i mirë del nga procesi dhe nga projekti më i fortë. Duhet të fitojë ai që e kundërshton Edi Ramën me argumente. Fillimisht duhet të nisim me argumentin brenda partisë dhe më pas ta çojmë atë në Parlament”, tha ajo.
Një pjesë të kritikave të saj Açka ia kushtoi edhe vendimit të Kuvendit për të mos i hequr mandatin Belinda Ballukut. Ajo e cilësoi këtë qëndrim të mazhorancës si të turpshëm dhe tha se nuk ka arsye që deputetja të fshihet pas mandatit.
“Mund të jesh edhe e pafajshme, por në këtë mënyrë krijohet përshtypja se po pranon që je e korruptuar. Çështja duhet të trajtohet hapur”, u shpreh Açka.
Ajo komentoi edhe protestat kundër qeverisë, duke thënë se kishte pritur që, pas dy ose tre muajsh konsolidimi, ato të prodhonin një drejtim të qartë politik. Sipas saj, protestat kanë kërkesa politike dhe këto nuk mund të mbeten pa një strukturë udhëheqëse.
Açka tha se, nëse forcat kundërshtare nuk bashkohen, duhet të krijohet një pol i tretë politik, ku të përfshihen edhe figura të rëndësishme të PD-së. Ajo beson se brenda kësaj partie ka elementë të jashtëzakonshëm që mund të kontribuojnë në përmbysjen e Edi Ramës.
Në përfundim, ajo deklaroi se SPAK mund ta trondisë kryeministrin, pasi sipas saj dëmi që po shkakton Rama është i dukshëm, duke nisur nga paketa e maleve.






