Ballkani ka mposhtur Llapin me rezultatin 1-0 në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në përballjen e javës së tetë të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Skuadra e drejtuar nga Sami Sermaxhaj siguroi tri pikët përballë ekipit të Tahir Batatinës, në ndeshjen e parë pas një pauze tri javëshe të shkaktuar nga angazhimet e kombëtareve.
45 minutat e para u zhvilluan në një ritëm të barabartë, ndërsa asnjëra prej skuadrave nuk arriti të krijojë raste të pastra për gol. Për pasojë, ekipet shkuan në pushim me rezultatin 0-0.
Pas intervalit, loja u bë më e hapur dhe të dyja skuadrat patën mundësi për të shënuar. Megjithatë, vetëm Ballkani arriti ta konkretizojë një prej rasteve të krijuara.
Albin Berisha realizoi në minutën e 60-të, duke e çuar rezultatin në 0-1. Ky gol rezultoi vendimtar, pasi deri në përfundim të takimit shifrat nuk ndryshuan më.
Me këtë fitore, Ballkani ngjitet në vendin e tretë të renditjes me 13 pikë. Llapi mbetet në pozitën e parafundit, të nëntën, me vetëm tri pikë.
Ballkani në javën e ardhshme do të përballet në shtëpi me Dritën, ndërsa Llapi do të luajë në udhëtim kundër Feronikelit ’74.





