Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, e ka cilësuar bashkëpunimin ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së, i cili mundësoi zgjedhjen e Presidentes së re, si një zhvillim që mund të shënojë përfundimin e një tranzicioni dhe nisjen e një etape të re politike në Kosovë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, muajt e ardhshëm do të tregojnë nëse vendi ka hyrë vërtet në këtë cikël të ri. Gashi theksoi gjithashtu se marrëveshjet mes partive nuk duhet të trajtohen më si arsye për demonizimin e forcave kundërshtare.
“Pas bashkëpunimit të fundit formal mes LVV-së dhe PDK-së, ka ardhur koha që bashkëpunimi politik të mos jetë më arsye për demonizimin e kundërshtarëve. Rëndësi ka për çfarë bashkëpunojmë dhe çfarë sjellim për vendin. Tash është koha që qeverisja të matet me rezultate, e jo me arsyetime dhe fajësime të së kaluarës. Qytetarët presin zhvillim, siguri dhe shpresë për të ardhmen”.
Duke folur për LDK-në, Gashi tha se partia duhet ta përcaktojë pa paqartësi drejtimin e saj politik në këtë fazë.
“Pa vija të kuqe të përhershme, por me parime të qarta. Të kaluarën nuk e harrojmë, por të ardhmen nuk duhet ta mbajmë peng të saj. Këtu fillon rilindja jonë: me më shumë besim, bashkim dhe një politikë moderne, që i përfaqëson qytetarët dhe u jep shpresë për të ardhmen. Koha është tash. Koha është për LDK-në”, ka deklaruar ai.






