Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka prezantuar projektin RISE, i cili synon të forcojë ekonomikisht dhe psikosocialisht gratë e riatdhesuara dhe gratë refugjate në Republikën e Kosovës. Nisma synon t’u krijojë atyre kushte më të favorshme për integrim dhe pavarësi.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së hapjes, Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, Genc Metaj, renditi arritjet e ministrisë gjatë këtij viti në zhvillimin e politikave dhe mekanizmave për riintegrimin e personave të riatdhesuar dhe integrimin e personave nën mbrojtje ndërkombëtare. Ai theksoi veçanërisht nevojën për përfshirjen e grave dhe vajzave në këto procese, ndërsa shprehu angazhimin për zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë.
Konferenca u ndoq edhe nga ambasadorja e Finlandës, Eevamari Laaksonen, pjesëmarrja e së cilës nënvizoi rolin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare në përkrahjen e grupeve që përballen me nevojë më të madhe për mbështetje.
RISE financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës dhe do të zbatohet së bashku me Helsinki Deaconess Institute Foundation, JRS Kosovë dhe Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Projekti do t’u mundësojë grave të riatdhesuara dhe refugjate qasje më të mirë në mundësi ekonomike, shërbime të ndryshme mbështetëse dhe ndihmë psikosociale. Nëpërmjet këtyre masave synohet krijimi i kushteve që ato të ndërtojnë jetë më të qëndrueshme, të pavarur dhe të integruar në komunitet.
Sipas MPB-së, fuqizimi i grave dhe garantimi i mundësive të barabarta janë baza të rëndësishme për një shoqëri gjithëpërfshirëse. Për këtë arsye, RISE nuk do të kufizohet vetëm në mbështetjen e drejtpërdrejtë të përfitueseve, por do të kontribuojë edhe në rritjen e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin e praktikave të reja të bashkëpunimit.
Eksperienca dhe rezultatet e mbledhura gjatë zbatimit të projektit pritet të sigurojnë ndikim edhe pas përfundimit të tij. Kjo pritet të ndihmojë në integrimin afatgjatë të grave të riatdhesuara dhe refugjate, si dhe në krijimin e një mjedisi ku ato të kenë më shumë hapësirë për zhvillim, pjesëmarrje dhe pavarësi.





