Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj qëndrimeve të shprehura ditët e fundit për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, duke i cilësuar ato si të nxituara dhe të pambështetura në një analizë të thelluar juridike.
Të lidhura
None found
Sipas OVL-UÇK-së, deri tani nuk është prezantuar asnjë studim apo vlerësim juridik i mirëfilltë që të dëshmojë se ndryshimet nuk mund të zbatohen ose se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Organizata thekson se debati publik është dominuar nga polemika, interpretime të njëanshme dhe deklarata politike, në vend të argumenteve konkrete ligjore.
OVL-UÇK shprehet se nuk dëshiron të besojë që reagimet e fundit synojnë t’i dekurajojnë qytetarët që protestuan natë pas nate e ditë pas dite, me dinjitet dhe shpresë për drejtësi. Megjithatë, në reagim thuhet se koha dhe mënyra e këtyre deklarimeve krijojnë pikërisht një përshtypje të tillë.
Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, vijon reagimi, besojnë se ndryshimet e miratuara përfaqësojnë një hap të rëndësishëm për orientimin e Gjykatës Speciale drejt parimeve të drejtësisë. Sipas tyre, ky institucion duhet të funksionojë mbi standarde juridike dhe parime të qarta, të cilat duhet të udhëheqin çdo institucion të drejtësisë.
Organizata nënvizon se hamendësimet për pasojat e mundshme ligjore nuk mund të zëvendësojnë një shqyrtim profesional dhe as të përdoren për të diskredituar një nismë të ligjshme institucionale. Çdo kundërshtim, sipas saj, duhet të mbështetet në fakte, dispozita të përcaktuara dhe arsyetim juridik, e jo në deklarata politike.
OVL-UÇK thekson gjithashtu se Kosova e ka dëshmuar vullnetin për të bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare, edhe në raste kur një bashkëpunim i tillë ka kërkuar marrjen e vendimeve jashtëzakonisht të vështira. Por, siç thuhet në reagim, ky bashkëpunim nuk nënkupton heqjen dorë nga kërkesa për drejtësi të paanshme, përgjegjshmëri institucionale dhe respekt ndaj dinjitetit të luftës çlirimtare.
“Shpresa e qytetarëve për drejtësi meriton përgjigje të argumentuara, jo përpjekje për ta relativizuar apo shuar atë”, përfundon reagimi i OVL-UÇK-së.






