Aparaturat CT jashtë funksionit, Ministria e Shëndetësisë orienton pacientët drejt dy spitaleve

Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Institutin Universitar të Radiologjisë, ka nisur mirëmbajtjen e aparaturave për tomografi të kompjuterizuar (CT), të cilat aktualisht nuk janë në punë. Sipas njoftimit, po ndërmerren të gjitha masat që pajisjet të rikthehen në përdorim sa më shpejt.

Të lidhura

None found

Për të garantuar ofrimin në kohë të shërbimeve shëndetësore, prej fillimit të kësaj jave është ndryshuar organizimi i referimit të pacientëve.

Ministria bën të ditur se, deri në vënien sërish në funksion të aparaturave, rastet urgjente dhe pacientët që kanë nevojë për diagnostikim me CT po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” dhe në Klinikën Kirurgjikale “Shën Naum Ohri” në Shkup.

Institucioni thekson se mbrojtja e shëndetit dhe siguria e pacientëve janë prioritet. Pacientët e referuar për tomografi të kompjuterizuar do të pranohen dhe do t’u kryhen incizimet sipas këtij orari:

Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori”, Departamenti për Radiologji Diagnostike dhe Intervente: nga ora 08:00 deri në 14:00 dhe nga ora 20:00 deri në 02:00.

Klinika për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohri” – Shkup: nga ora 14:00 deri në 20:00 dhe nga ora 02:00 deri në 08:00.

Ministria sqaron se kjo skemë është e përkohshme dhe do të jetë në fuqi vetëm deri në rikthimin e aparaturave të Institutit Universitar të Radiologjisë. Pacientëve dhe mjekëve u kërkohet të respektojnë me përpikëri oraret e përcaktuara.

Për çdo ndryshim të situatës dhe për rikthimin e shërbimit në regjimin e zakonshëm, institucionet shëndetësore, shërbimet përkatëse dhe publiku do të njoftohen në kohë.