Cristiano Ronaldo është përfshirë në një polemikë të re pas një mesazhi privat që i ka dërguar gazetarit dhe prezantuesit të njohur britanik, Piers Morgan.
Futbollisti 41-vjeçar është rikthyer në qendër të vëmendjes pas largimit nga grumbullimi i Përfaqësueses së Portugalisë dhe përplasjes me përzgjedhësin Jorge Jesus. Në këtë histori është përfshirë edhe analisti dhe moderatori anglez Simon Jordan.
Të lidhura
None found
Piers Morgan, një nga mbështetësit më të mëdhenj publikë të Ronaldos, ishte pjesë e emisionit talkSPORT, ku u përball në një debat të tensionuar me Jordanin teksa mbronte sulmuesin portugez.
Pas përfundimit të programit, Morgan bëri publik një mesazh që kishte marrë nga Ronaldo. Ai tregoi se i kishte dërguar futbollistit një video nga debati me Simon Jordan.
“Dua t’ju tregoj një mesazh argëtues. I dërgova Cristianos një video të paraqitjes sime me Simon Jordan dhe ai më shkroi: ‘Thuaji atij bjondit të ndalojë botoksin, duket si mollë’”, tha Morgan.
Komenti u bë publik në një periudhë kur futbolli portugez po përballet me polemika të shumta. Ronaldo u largua nga grumbullimi i kombëtares pasi nuk luajti në fitoren kundër Norvegjisë në Oslo.
Pas kësaj, kapiteni portugez u kërkoi falje tifozëve dhe sqaroi se largimi i tij kishte ardhur nga dëshira për të mos ndikuar në mënyrë negative te atmosfera e skuadrës.
Debati mes Morganit dhe Jordanit nuk përfundoi me emisionin, pasi të dy vijuan përplasjen edhe mëngjesin e ditës pasuese në radio. Jordan e sulmoi Morganin për qëndrimin e tij, duke e cilësuar të njëanshëm dhe duke e akuzuar se i nënshtrohej Ronaldos.
Analisti anglez iu përgjigj gjithashtu edhe thumbimit të Ronaldos lidhur me botoksin dhe pamjen e tij.
“Nuk ke fare kredibilitet, Piers. Askush nuk do të dëgjojë më lajkatimet e tua të njëanshme për Ronaldon vetëm sepse beson se e ke mik. Për botoksin? Sinqerisht, do të doja ta përdorja. Mendoj se është mjaft lajkatues”, deklaroi Jordan.





