Më 6 tetor, Kuvendi i Kosovës votoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Të nesërmen, Bashkimi Evropian reagoi duke shprehur “shqetësim të thellë” dhe vlerësoi se këto ndryshime bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka ndaj BE-së.
Të lidhura
None found
Partia Demokratike e Kosovës, e cila ishte nismëtare e ndryshimeve, e kundërshtoi këtë vlerësim. Sipas saj, synimi nuk është shfuqizimi i Speciales, ndërsa “Kosova u rri besnike detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafikim të organeve”.
Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje nuk dha koment për Radion Evropa e Lirë lidhur me këtë deklaratë. Gjatë shqyrtimit të projektndryshimeve, kryeministri Albin Kurti i kishte cilësuar ato si “të nxituara”.
Miratimi i një ligji vendor që mund të jetë në kundërshtim me një marrëveshje ndërkombëtare ngre pyetjen nëse një marrëveshje e tillë mund të ndryshohet vetëm përmes legjislacionit të Kosovës.
Edhe pse Kuvendi ka kompetencë të miratojë e të ndryshojë ligje, ndërhyrja në një akt vendor nuk sjell automatikisht ndryshimin e marrëveshjes ndërkombëtare me të cilën ai lidhet.
Besfort Rrecaj, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, thotë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe BE-së për Dhomat e Specializuara përbën një instrument juridik ndërkombëtar. Sipas tij, ajo mund të rishikohet vetëm “me pëlqimin e palëve”.
Rrjedhimisht, shton Rrecaj, Kosova duhet së pari të dakordojë me BE-në ndryshimet e mundshme.
“Kosova mund dhe duhet ta propozojë hapjen e negociatave me BE-në për ndryshimin e marrëveshjes, duke e përshtatur atë me ndryshimet e reja”, deklaroi Rrecaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai nënvizon se çdo rishikim duhet të garantojë pavarësinë e gjyqësorit dhe integritetin e procedurave gjyqësore.
Ligjet e miratuara nga Kuvendi mund të dërgohen për vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese nga Presidentja, Qeveria, Avokati i Popullit ose Kuvendi. Po ashtu, një grup prej të paktën 10 deputetësh mund ta kundërshtojë ligjin brenda tetë ditësh nga miratimi i tij.

Për ndryshimet që lidhen me Ligjin për Specialen, megjithatë, zbatohet një mekanizëm i veçantë.
Pika 3 e nenit 162 të Kushtetutës i jep Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë, kompetencë ekskluzive për referimet kushtetuese që kanë të bëjnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ndryshimet e votuara nga Kuvendi synojnë ta prekin pikërisht këtë rregull. Përmes ligjit vendor, kompetenca e Dhomës Kushtetuese në Hagë për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Specialen do t’i kalonte Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës përcakton se marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, bashkë me normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare, kanë përparësi ndaj ligjeve të vendit.

Një shembull i kësaj ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese në fund të vitit 2015 për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjykata kërkoi që Asociacioni të themelohej sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, ndonëse konstatoi se ajo “nuk ishte tërësisht në përputhje” me Kushtetutën. Arsyetimi ishte se, pas ratifikimit, “themelimi i Asociacionit është bërë pjesë e sistemit të brendshëm juridik”.
Mbi këtë bazë, Rrecaj shpjegon se një ligj i ri vendor nuk mund të përdoret për të anashkaluar marrëveshjen ndërkombëtare me BE-në nëse të dyja bien ndesh.
“Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë përparësi ndaj ligjeve të Kosovës. Gjithashtu, Kushtetuta e Kosovës u jep përparësi marrëveshjeve ndërkombëtare edhe ndaj dispozitave të saj”, sqaron ai.
Si u rrëzuan ndryshimet për Specialen në vitin 2020?
Një situatë e ngjashme u shënua në vitin 2020, kur presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, kërkoi ndryshimin e nenit 162 të Kushtetutës, i cili përcakton mandatin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Propozimi i tij parashikonte ndryshimin e paragrafit 13, në mënyrë që të specifikohej se mandati do të vazhdonte deri në njoftimin e Këshillit të BE-së për përfundimin e tij, në konsultim me Qeverinë e Kosovës.
Gjithashtu, Thaçi kërkonte heqjen e plotë të paragrafit 14, i cili e lidhte vazhdimin e mandatit me Shkëmbimin e Letrave të vitit 2014.
Kryetarja e atëhershme e Kuvendit, Vjosa Osmani, i përcolli propozimet për vlerësim paraprak në Dhomën Kushtetuese të Speciales në Hagë. Më 26 nëntor 2020, kjo Dhomë vendosi se amendamentet do të kufizonin të drejtat dhe liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta, ndaj nuk mund të miratoheshin.
Në aktgjykimin e saj, Dhoma vlerësoi veçanërisht faktin se Kosova nuk ishte konsultuar paraprakisht me autoritetet përkatëse të BE-së.
Mungesën e konsultimeve ajo e cilësoi si “mangësi procedurale”, por sqaroi se vendimi nuk mbështetej vetëm te kjo rrethanë. Megjithatë, Dhoma konstatoi se detyrimi për konsultim ishte pjesë e kërkesave kushtetuese dhe kishte rëndësi për procesin ligjvënës në Kosovë.
Nga buron detyrimi për konsultim?
Kërkesa për konsultim me BE-në lidhet me mënyrën e krijimit të bazës juridike të Dhomave të Specializuara.
Ky proces nisi pas raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011, ku përfshiheshin pretendime për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Pas publikimit të raportit, BE-ja themeloi Task-Forcën Hetimore Speciale për shqyrtimin e këtyre pretendimeve.
Në vitin 2014, presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, shkëmbyen letra për mënyrën e trajtimit të rasteve nëse hetimet do të çonin në aktakuza dhe procese gjyqësore.
Me anë të këtij Shkëmbimi Letrash, Kosova u angazhua të krijonte dhoma dhe një prokurori të specializuar, ndërsa procedurat e ndjeshme do të zhvilloheshin jashtë territorit të Kosovës.
Dokumenti kërkonte gjithashtu konsultimin e autoriteteve përkatëse të BE-së gjatë çdo ndryshimi ligjor që do të ndikonte në këto procedura.
Kuvendi e ratifikoi Shkëmbimin e Letrave më 23 prill 2014, duke i dhënë statusin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Më 3 gusht 2015, Kuvendi miratoi ndryshimin kushtetues përmes të cilit u krijua neni 162 i Kushtetutës, si dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ndërsa mbetet e paqartë mënyra se si Qeveria do ta zbatojë ligjin e ri në raport me detyrimet ndërkombëtare, mbetet gjithashtu e hapur edhe çështja e efektit që ky ligj do të ketë në praktikë.




