Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar me pikëllim për vdekjen e Nexhadi Lutfisë, i njohur si Nexha, i cili për 25 vite ishte kujdesur për pamjen e tij si berber.
Të lidhura
None found
Ahmeti tregoi se Nexha qëndroi pranë tij nga viti 2001 deri para dy muajsh. Me kalimin e kohës, raporti mes tyre u kthye në miqësi dhe respekt të ndërsjellë.
“Me dhimbje të madhe mësova për ndarjen nga jeta të Nexhadi Lutfisë, Nexhës.
Që prej vitit 2001 e deri para dy muajsh, ai ka qenë pranë meje në një rol të veçantë. Me aftësinë e duarve të tij kujdesej për pamjen time, por marrëdhënia jonë, ndër vite, u bë shumë më tepër se kaq: një miqësi e ndërtuar mbi respektin.
Në takimet tona të rregullta, përveç bisedave të përditshme, diskutonim edhe për çështje politike e shoqërore. Nexha ishte kureshtar, i vëmendshëm dhe i interesuar për zhvillimet përreth nesh. Shpesh, bisedat tona të thjeshta shndërroheshin në diskutime me rëndësi, ku ai sillte pyetje, vërejtje dhe këndvështrime që tregonin se e ndiqte nga afër kohën në të cilën jetonte.
Sot nuk më mungon vetëm berberi që për 25 vite kujdesej për pamjen time. Kam humbur një mik, një bashkëbisedues dhe një njeri të mirë, prania e të cilit ishte bërë pjesë e jetës sonë të përditshme.
Do ta kujtoj përherë me respekt dhe mirënjohje”, shkroi Ahmeti.






