Ditën e sotme, deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, iu përgjigj në Kuvend deputetit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, duke mohuar kategorikisht se mund të vihet nën presion apo të shantazhohet.
Spiropali deklaroi se Bardhi nuk përfaqëson “zërin e qytetarëve”, siç pretendon, ndërsa e akuzoi se është shantazhuar më herët nga persona që, sipas saj, kanë qenë pjesë e strukturave drejtuese të PD-së në Fier.
Të lidhura
None found
“Të jesh i sigurt, Gaz Bardhi, nuk ka njeri këtu që të më shantazhojë mua. E kam kërkuar… S’je ti zëri i qytetarëve që pretendon. Por nuk më shantazhojnë dot as ata që të shantazhuan ty, të gjithë deputetët dhe ata që kishe drejtues të PD-së në Fier. As ata nuk më shantazhojnë dot, se do të shkojnë aty ku e kanë vendin”, u shpreh ajo.
Më tej, deputetja socialiste kundërshtoi përdorimin e çdo platforme për të diskutuar të njëjtën çështje, duke theksuar se qëndrimeve të saj u qëndron si në platformë, ashtu edhe jashtë saj. Ajo tha se këto çështje i ka paraqitur edhe në Asamblenë e PS-së.
Spiropali kritikoi gjithashtu mënyrën e funksionimit të Partisë Demokratike, duke deklaruar se në atë forcë politike nuk mund të shprehet askush lirshëm dhe se ajo është shndërruar në një strukturë të përqendruar te një individ.
“Ashtu sikur ju nuk thoni dot një fjalë në parti. Ju nuk keni një parti, por një njeri. I kam dalë kundër kulturës së personalizimit të pushtetit në një dorë, nga pushteti lokal te ai qendror. Ju jeni mishërimi i pushtetit deri në katandisje. I kam dalë kundër kësaj kulture”, tha ajo.
Në mbyllje, Spiropali i kërkoi Bardhit të mos lidhë çështje që, sipas saj, nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, duke paralajmëruar se ato do të zgjidhen shumë shpejt.






