Këtë të enjte, seanca plenare e Kuvendit do të zhvillohet në orën 10:00, me një rend dite që përfshin 18 çështje. Mes temave kryesore janë reforma administrativo-territoriale, katër interpelanca me ministra dhe ngritja e një komisioni hetimor për shoqërinë shtetërore “KAYO”.
Punimet do të hapen me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 5 tetorit, pas së cilës do të bëhen njoftimet përkatëse.
Të lidhura
None found
Më pas, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, do t’u përgjigjet një interpelance urgjente të kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Rendi i ditës vijon me dy interpelanca ndaj ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Kërkesat për zhvillimin e tyre janë paraqitur përkatësisht nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi.
Interpelanca e katërt do të zhvillohet me ministrin e Financave, Petrit Malaj, me kërkesë të deputetit Tedi Blushi.
Deputetët pritet të diskutojnë edhe projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, një prej çështjeve që pritet të tërheqë vëmendje të veçantë gjatë seancës.
Mes nismave të tjera ligjore është edhe ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit.
Në shqyrtim do të jetë gjithashtu marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për krijimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe realizimin e kontrolleve të përbashkëta, si dhe ndryshimet në ligjet që rregullojnë bankat dhe sistemin e pagesave.
Axhenda përfshin edhe amendime në ligjin për mbrojtjen e mjedisit dhe projektligjin për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen ndryshime në legjislacionin për markat tregtare, patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë.
Një nga vendimet e parashikuara lidhet me krijimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të kontrollojë ligjshmërinë e veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a.
Ky verifikim do të përfshijë marrëveshjet e bashkëpunimit, prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Në përmbyllje të punimeve do të diskutohet projektvendimi për ndryshimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit. Deputetët do të mund të ngrenë gjithashtu çështje jashtë rendit të ditës.







