Infeksionet lidhen me rreth një në tetë raste kanceri në botë

Rreth 2.3 milionë diagnoza të reja të kancerit në vitin 2024 u shkaktuan nga infeksionet, sipas një studimi të ri. Gjetjet nxjerrin në pah se vaksinimi mund të ndihmojë në parandalimin e një pjese të rasteve.

Të lidhura

None found

Studimi u botua në revistën The Lancet Oncology dhe u krye nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit, e cila është pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sipas tij, infeksionet shkaktojnë afërsisht një në tetë raste të kancerit në botë.

Mes shkaktarëve më të përhapur janë Helicobacter pylori, bakter i zakonshëm i stomakut, dhe virusi i papillomës njerëzore (HPV). Të dy së bashku përbëjnë shumicën e rasteve të lidhura me infeksionet.

Në listën e faktorëve të tjerë kryesorë përfshihen viruset e hepatitit B dhe C, si edhe virusi Epstein-Barr. Ky i fundit është lidhur së fundmi me më shumë lloje kanceri nga sa mendohej më parë.

Një pjesë e madhe e këtyre rasteve mund të shmanget, theksojnë studiuesit. Vaksinimi kundër HPV-së dhe hepatitit B, kontrollet e rregullta dhe trajtimi me barna antivirale mund të kontribuojnë në uljen e barrës së sëmundjeve.

Mbi tri të katërtat e rasteve regjistrohen në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku mundësitë për të marrë shërbime shëndetësore janë më të pakta.

Sipas studiuesve, vaksinimi dhe zbulimi në fazë të hershme mund të kenë ndikim të rëndësishëm në parandalimin e kancerit./TAR


Shtuar më 7.10.2026 21:40