Pas kallëzimit penal nga biznesmeni Behgjet Pacolli, Policia e Kosovës ka arrestuar Bbiznesmenin Valon Lluka, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Lajmin për ndalimin e tij e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes zëdhënëses Kaltrina Shala.
Të lidhura
None found
Sipas Shalës, Lluka dyshohet për disa vepra penale, përfshirë “Mashtrimin”, “Shpërdorimin e pasurisë së huaj”, “Keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhjen e kontratës së dëmshme”.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale ‘Mashtrimi’, nga neni 323, ‘Shpërdorimi i pasurisë së huaj’, nga neni 318, ‘Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike’, nga neni 284, si dhe veprës penale ‘Lidhja e kontratës së dëmshme’, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Shala.
Ajo ka bërë të ditur se lidhur me rastin, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.
“Lidhur me rastin në fjalë, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit”, deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë.
Shala ka shtuar se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj të dyshuarit. /albeu.com/






