Ish-presidenti i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë, August Hanning, është arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të lidhura me spiunazhin dhe tradhtinë. Hanning, i cili drejtoi BND-në nga viti 1998 deri në 2005, u arrestua në Bad Tölz-Wolfratshausen, në jug të Gjermanisë. Në kuadër të të njëjtit hetim është arrestuar edhe ish-shefi i tij i stafit, Manfred D., në Steinfurt, në perëndim të vendit.
Sipas prokurorisë gjermane, Manfred D. dyshohet se ka përdorur pozicionet e tij për të siguruar informacione konfidenciale dhe dokumente të klasifikuara, të cilat më pas ia ka dorëzuar Hanning në këmbim të pagesave.
Të lidhura
None found
Hetuesit dyshojnë se gjatë viteve Manfred D. i ka kaluar Hanning rreth 2 mijë dokumente, një pjesë e madhe e të cilave përmbanin informacione të klasifikuara të BND-së, të destinuara vetëm për përdorim të brendshëm dhe për informime të nivelit të lartë.
Prokuroria deklaroi se Hanning përdori të paktën një pjesë të informacionit të marrë për të përgatitur një analizë për një oficer të një shërbimi të huaj inteligjence. Megjithatë, autoritetet gjermane nuk kanë bërë të ditur se për cilin shtet dyshohet se punonte agjenti dhe nëse informacionet e klasifikuara kanë përfunduar realisht te marrësi i synuar.
Sipas hetimeve, Manfred D. ka vijuar të mbajë poste në strukturat drejtuese të BND-së edhe pas largimit të Hanning, duke shërbyer si shef kabineti për pasardhësit e tij. Prokurorët dyshojnë se ai e ka shfrytëzuar këtë pozicion për të siguruar akses në të dhëna sensitive.
Deputeti gjerman Marc Henrichmann, kreu i komitetit parlamentar që mbikëqyr shërbimet e inteligjencës, tha se Gjermania nuk do të tolerojë nxjerrjen dhe dorëzimin e sekreteve shtetërore. Hetimet vijojnë për të përcaktuar se kujt mund t’u jenë transmetuar informacionet e klasifikuara dhe nëse dy të arrestuarit kanë vepruar në koordinim me një shërbim të huaj inteligjence.
