Deputeti i Partisë Socialiste, Adi Qose, foli për përplasjen me protestuesit gjatë një interviste në emisionin “Now”, me Erla Mëhillin.
Ai shpjegoi se reagimi i tij erdhi pasi situata, sipas tij, kaloi në fyerje ndaj disa grave që punojnë në administratën e Kuvendit dhe që nuk kanë lidhje me asnjë forcë politike.
Të lidhura
None found
Qose tha se e kupton indinjatën e qytetarëve ndaj politikës dhe politikanëve, por theksoi se kjo ndjesi nuk duhet të drejtohet ndaj punonjësve të institucionit, të cilët prej vitesh ushtrojnë detyrën e tyre.
“Ishte hera e parë që përballesha me protestuesit. E bëra të qartë edhe në reagimin tim se kjo ishte një përballje që e mendova, pasi sapo dola pashë disa protestues, të cilët ndodheshin rreth 20 metra larg meje. Ajo që më shtyu të ndërhyja ishte fakti se disa prej grave të Kuvendit, që punojnë në Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk janë pjesë e asnjë force politike, po fyheshin me shprehje të ndryshme që cenonin dinjitetin e tyre.
Kjo ishte arsyeja përse reagova. Protestuesit mbanin telefona në duar dhe përpiqeshin të përcillnin atë që, sipas tyre dhe pamjeve të regjistruara, ishte e vërteta. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e videove nuk publikohen të plota; prej tyre shkëputen vetëm momente që synojnë të tregojnë atë që pretendohet se po i ofrohet publikut.
Fillimisht qëndrova aty dhe më pas zhvillova një bisedë me dy ose tre prej protestuesve që ndodheshin pranë. Qëllimi ishte të mbroja gratë e Kuvendit, pasi, siç e shpjegova, ato nuk kanë asnjë përkatësi politike.
Ato punojnë prej vitesh në atë institucion, për dinjitetin e tyre dhe për familjet e tyre, ndaj nuk i kanë borxh askujt të përballen me fyerje të ndryshme. E kuptoj zemërimin e tyre ndaj politikës dhe politikanëve, por kur ky zemërim kalon kufijtë dhe u drejtohet edhe personave që nuk janë të përfshirë politikisht, mendoj se bëhet i tepruar nga ana e protestuesve. Të njëjtën gjë do të thoja edhe kur tejkalohet reagimi ndaj deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë”, deklaroi ai.
