Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, deklaroi në emisionin “Minuta e Parë” në News24 se projektligji i mazhorancës për reformën territoriale pritet të votohet të enjten në Kuvend.
Boçi, i cili është bashkëkryetar i komisionit të ngritur për këtë reformë, tha se nisma e Partisë Socialiste nuk përbën një reformim të pushtetit vendor, por një ndarje të re të hartës, që sipas tij do të thellojë shpopullimin e vendit.
Të lidhura
None found
Sipas deputetit demokrat, mënyra se si u krijua komisioni dhe projektligji i paraqitur nga një grup deputetësh dëshmojnë se bëhet fjalë për një vendim politik. Ai e cilësoi këtë proces si përsëritje të reformës së vitit 2014, gjë që, sipas tij, është pranuar edhe nga Rama.
Boçi kujtoi se në vitin 2014 Rama synonte krijimin e 46 47 bashkive, ndërsa ndërhyrja e një partie aleate solli shtimin e 15 bashkive të tjera. Ai theksoi se nuk ka pasur reflektim mbi pasojat e reformës së atëhershme, të cilat i lidhi me shpopullimin, mungesën e shërbimeve dhe largësinë që qytetarët kanë nga bashkia.
Ai tha se lëvizja e brendshme e popullsisë mbetet në nivele të ulëta, ndërsa largimi jashtë vendit arrin në nivele 80 90%. Sipas tij, vetëm Tirana ka shënuar rritje me 15 mijë banorë, ndërsa qarqet e tjera kanë humbur një numër të madh banorësh. Boçi u shpreh se shqiptarët po largohen përtej kufijve për shkak të mungesës së shërbimeve dhe se shpopullimi ka prekur si zonat rurale, ashtu edhe ato urbane.
Deputeti i PD-së e lidhi pakënaqësinë e qytetarëve me mungesën e shërbimeve, distancat e mëdha dhe cilësinë e pamjaftueshme të shërbimeve që ofrohen. Ai e konsideroi si “mashtrim publik” ose “kënaqësi idiote” pretendimin për një model të ngjashëm me Zvicrën, ku banorët migrojnë brenda vendit, duke thënë se kjo përdoret për të justifikuar qëndrimin e Ramës.
Boçi shtoi se PD-ja do të dëshironte të merrte një nismë të tillë, njësoj si në protestat antiqeveritare, por theksoi se protestat aktuale janë organizuar tërësisht nga qytetarët. Ai tha se partia ka zgjeruar komunikimin dhe ka ndërmarrë nismën, së bashku me këshillat bashkiakë, për mbledhjen e peticioneve përkatëse.
