Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka hedhur një seri akuzash ndaj presidentit në detyrë Joe Biden, për keqadministrim të situatës në Afganistan.
Ai ka thënë se kjo ka qenë një nga humbjet më të mëdha në historinë e SHBA-ve.
“Koha që Joe Biden të japë dorëheqjen në turp për atë që ka lejuar t’i ndodhë Afganistanit, së bashku me rritjen e jashtëzakonshme të COVID, katastrofën e kufirit, shkatërrimin e pavarësisë energjetike dhe ekonominë tonë të gjymtuar. Nuk duhet të jetë një punë e madhe, sepse ai nuk u zgjodh në mënyrë legjitime në radhë të parë!”, tha Trump.
Po ashtu Trump thekson se ky zhvillim do të shënohet në historinë amerikane si një turp i madh dhe një investim miliarda dollarësh i çuar dëm.
“Ajo që Joe Biden ka bërë me Afganistanin është legjendare. Do të shënohet si një nga humbjet më të mëdha në historinë amerikane!”, shton ai.
Edhe vetë Trump gjatë kohës kur ishte President ka qenë i kritikuar për qasjen ndaj Afganistanit. Në shkurt të vitit 2020 ai pranoi një marrëveshje me talebanët që sot kanë marrë kontrollin e vendit dhe pritet të formojnë qeverinë e re./albeu.com