Valon Berisha nuk i përmbajti dot emocionet dhe lotët gjatë ceremonisë së organizuar para ndeshjes së Kosovës me Austrinë.
Të lidhura
None found
Federata e Futbollit e Kosovës i kushtoi një ceremoni lamtumire mesfushorit, i cili ishte ndër futbollistët e parë që iu bashkuan përfaqësueses pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Gjatë aventurës së tij me fanellën dardane, Berisha regjistroi 52 paraqitje dhe shënoi katër gola, duke u kthyer në një prej emrave të rëndësishëm të historisë së Kosovës.
Më 5 shtator të vitit 2016, në përballjen me Finlandën, ai realizoi nga pika e bardhë golin e barazimit 1:1. Ky ishte goli i parë i Kosovës në një ndeshje zyrtare të garave të FIFA-s dhe UEFA-s.
Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe përkushtimin e tij, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i dhuroi Berishës një fanellë simbolike që përmbledh rrugëtimin e tij me Kombëtaren.
Pas 52 ndeshjeve dhe 4 golave, Valon Berisha e mbyll një kapitull të rëndësishëm me përfaqësuesen e Kosovës, duke lënë pas kujtime të paharrueshme dhe një moment historik për futbollin kosovar.
FFK-ja e falënderoi për emocionet dhe kontributin e dhënë ndër vite, duke theksuar se emri i tij do të mbetet pjesë e historisë së Kosovës.
