Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur për të shqyrtuar situatën e krijuar pas vendimit të Qeverisë për t’i hapur rrugë nismës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Të lidhura
None found
Para mbledhjes, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, e cilësoi si hap pozitiv përgjigjen e Qeverisë ndaj kërkesës për ndryshimin e ligjit. Ai vlerësoi edhe qëndrimin e të tjerëve, si dhe unitetin e reagimin e qytetarëve kundër asaj që e quajti padrejtësi historike.
Sipas Tahirit, PDK-ja ka kërkuar që i gjithë spektri politik të mbajë qëndrim të përbashkët për këtë çështje. Ai tha se çdo veprim në këtë drejtim është i dobishëm.
Tahiri u shpreh se pret mbledhjen e komisionit përkatës dhe procedimin e projektligjit për votim në Kuvend. Për PDK-në, theksoi ai, rëndësi parësore ka që ligji të votohet dhe të miratohet.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Tahiri kërkoi që forcat politike të ulen së bashku dhe të arrijnë konsensus për funksionalizimin e institucioneve. Ai përfundoi duke thënë se mbështetja e çlirimtarëve në Hagë duhet të jetë përparësia kryesore e këtyre institucioneve.
