Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte pjesëmarrës në ditën e dytë të konferencës ndërkombëtare “Partneritet për Ndryshim: Gratë që Transformojnë Sistemet – Avancimi i Parimeve të Prishtinës 2026–2035”.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së tij, Kurti vlerësoi rolin historik të grave të Kosovës në zhvillimin dhe qëndresën e vendit, ndërsa nënvizoi detyrimin e institucioneve për ta kthyer këtë kontribut në më shumë mundësi, përfshirje dhe rol në proceset vendimmarrëse.
Ai deklaroi se fuqizimi i grave nuk lidhet vetëm me barazinë gjinore, por përbën një investim të drejtpërdrejtë në përparimin ekonomik, social dhe demokratik të Kosovës. Sipas tij, kjo qasje është mbështetur nga ekzekutivi përmes politikave publike, buxhetit adekuat dhe masave konkrete.
Kurti përmendi punësimin e drejtpërdrejtë të mbi 12 mijë grave, ndarjen e bursave për vajza, ndihmën financiare për nënat dhe fëmijët, investimet në sipërmarrjen e grave dhe në bujqësi. Ai theksoi gjithashtu masat e posaçme për gratë që kanë mbijetuar dhunën, përfshirë ofrimin e ndihmës juridike falas dhe subvencionimin e pagave.
Sipas kryeministrit, roli i grave shkon përtej dimensionit ekonomik dhe institucional, pasi ato japin një kontribut të rëndësishëm edhe në ndërtimin e paqes dhe garantimin e sigurisë.
“Përvoja e Kosovës dëshmon se paqja nuk krijohet vetëm në tryezat e negociatave. Ajo ndërtohet edhe brenda familjeve, komuniteteve dhe institucioneve. Gratë e Kosovës kanë qenë dhe mbeten ndërtuese të paqes, mbështetëse të familjeve dhe komuniteteve, profesioniste në institucionet e sigurisë dhe zëra të drejtësisë”, tha Kurti.
Ai shtoi se përfshirja e grave në fushën e paqes dhe sigurisë nuk duhet parë thjesht si çështje përfaqësimi, por si një kusht për stabilitetin afatgjatë të vendit.
Kurti theksoi se Kosova nuk mund të forcohet duke mos shfrytëzuar potencialin e gjysmës së shoqërisë. Për këtë arsye, sipas tij, duhet të vijojnë investimet në arsim, punësim, sipërmarrje, shëndetësi dhe institucione që garantojnë mundësi të barabarta.
