Personeli i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës mori pjesë në një aksion për dhurimin vullnetar të gjakut, të organizuar në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.
Të lidhura
None found
Nisma është ndërmarrë në kuadër të përpjekjeve të BQK-së për të forcuar vlerat humane dhe për të nxitur përgjegjësinë shoqërore.
Punonjësit e institucionit iu bashkuan aksionit humanitar duke dhuruar gjak, me synimin për të ndihmuar në mbrojtjen e shëndetit dhe shpëtimin e jetës së qytetarëve.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e çmoi gatishmërinë e stafit për të kontribuar vullnetarisht dhe vuri në pah rëndësinë e solidaritetit e të përgjegjësisë ndaj komunitetit.
Ismaili tha se, përveç profesionalizmit dhe përmbushjes me përgjegjësi të mandatit institucional, BQK synon të kultivojë edhe solidaritetin, integritetin dhe përgjegjësinë sociale.
“Dhurimi vullnetar i gjakut është një akt i veçantë humanizmi, që e shndërron solidaritetin në kontribut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e njerëzve”, ka theksuar Ismaili.
Sipas BQK-së, aktiviteti lidhet edhe me dimensionin social të parimeve ESG, të përfshira në Planin Strategjik të institucionit, duke nxitur solidaritetin, angazhimin vullnetar dhe përgjegjësinë sociale në shërbim të komunitetit.
Banka Qendrore falënderoi Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut për bashkëpunimin dhe organizimin, ndërsa shprehu mirënjohje edhe për profesionistët shëndetësorë për përkushtimin dhe shërbimin e ofruar.
Mirënjohje iu drejtua gjithashtu personelit të BQK-së për pjesëmarrjen në këtë nismë. Institucioni bëri të ditur se do të vijojë të ndërtojë një kulturë organizative të mbështetur në profesionalizëm, integritet, solidaritet dhe përgjegjësi ndaj komunitetit.
“Dhuro gjak, shpëto jetë!”, ishte mesazhi përmbyllës i aktivitetit./Telegrafi/
