Igor Simiq, nënkryetari i Listës Serbe dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, njoftoi se ai dhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj partie janë thirrur nga Departamenti për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale, në cilësinë e të dyshuarve.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Instagram, Simiq bëri të ditur se ndaj tyre rëndojnë dyshime për katër vepra penale: bashkim me synim sulmin ndaj rendit kushtetues të Kosovës, sulm ndaj personit zyrtar, rrezikim të personit nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.
“Si gjithmonë, do t’i përgjigjem thirrjes, sepse nuk kam asgjë për të fshehur, i vetëdijshëm, ashtu si edhe ata që e kanë shkruar këtë, se nuk kam kryer asnjë vepër penale dhe se, si përfaqësues politik, e kam obligim të jem me popullin tim dhe të flas publikisht për vuajtjet e tij”, deklaroi ai.
Radio Evropa e Lirë i kërkoi Prokurorisë Speciale të Kosovës sqarime për natyrën e dyshimeve ndaj zyrtarëve të Listës Serbe, ngjarjet me të cilat lidhen ato dhe numrin e personave të përfshirë. Deri tani, ky institucion nuk ka dhënë përgjigje.
Sipas Simiqit, thirrjet për intervistim përbëjnë presion politik. Ai pretendoi se zyrtarët e Listës Serbe ftohen nga prokuroria e Kosovës sa herë që ngrenë shqetësime për shkeljen e të drejtave individuale dhe kolektive të serbëve.
Lista Serbe konsiderohet forca më e madhe politike e serbëve në Kosovë dhe mbështetet nga Beogradi.
Edhe në të kaluarën, përfaqësues të kësaj partie janë thirrur nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar lidhur me dyshimet për “sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës”.
Gjatë viteve të mëparshme, serbët në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada dhe kanë zhvilluar protesta kundër zbatimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Lista Serbe i ka përkrahur vazhdimisht këto aksione.
Në qershor të këtij viti, Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj gjashtë personave, të dyshuar për vendosjen e barrikadave në dhjetor të vitit 2022.
Barrikadat u ngritën në kohën kur po organizoheshin zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në veri. Kjo ndodhi pasi kryetarët e komunave dhanë dorëheqje, si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës, nismë kjo e Listës Serbe.
Pas këtyre zhvillimeve, tensionet u përshkallëzuan dhe në fund të majit të vitit 2023 shpërtheu dhuna në Zveçan. Protestuesit serbë kundërshtonin hyrjen në ndërtesën e komunës të kryetarit shqiptar, i cili kishte fituar zgjedhjet lokale pas bojkotit të serbëve të zonës.
Gjatë përleshjeve, ku u plagosën mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it, në terren u vunë re edhe zyrtarë të Listës Serbe. Autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë proceduar rreth dhjetë persona për trazirat. Shumica e tyre u lanë të mbroheshin në liri me kusht, ndërsa disa shtetas të Serbisë u dëbuan nga Kosova.
Zhvillimet kulmuan me sulmin e armatosur të një grupi serbësh në Banjskë, pranë Zveçanit. Aksioni u drejtua nga Milan Radoiçiq, i cili në atë kohë ishte nënkryetar i Listës Serbe. Gjatë sulmit u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa më pas humbën jetën edhe tre sulmues serbë.
Kosova e ka bërë Serbinë përgjegjëse për këtë sulm, akuzë që Beogradi zyrtar e ka mohuar.
