Një ish-polic 60-vjeçar vrau veten gjatë një tubimi të pensionistëve në Ankara, ku pjesëmarrësit po kërkonin rritjen e pensioneve.
Ali Sekeroglu përdori armë zjarri para Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ishte i mbështjellë me flamurin turk dhe mbante një pankartë me mbishkrimin: “Jo për paratë, por për dinjitetin tim”.
Të lidhura
None found
Ai kishte treguar se të ardhurat që merrte nuk i mjaftonin për të përballuar shpenzimet e përditshme, ndërsa kishte kritikuar edhe përgjegjësit për gjendjen në të cilën ndodhej.
Para zhvillimit të protestës, Sekeroglu u kishte bërë thirrje qytetarëve në rrjetet sociale që t’i bashkoheshin tubimit.
“Nëse nuk je aty, do të mungojë një person. Mos thuaj: ‘Çfarë ndryshimi do të bëjë nëse nuk shkoj?’ Forca qëndron te bashkimi”.
Ish-polici u kërkoi gjithashtu autoriteteve dhe drejtuesve të vendit t’u kushtonin vëmendje problemeve të pensionistëve. Mediat turke raportuan se ai ishte baba i dy fëmijëve dhe se së fundmi ishte bërë gjysh. Për shkak të vështirësive financiare, ai nuk kishte mundur t’i blinte nipit dhuratën prej ari, një zakon i përhapur në Turqi.
Të premten, pensionistë protestuan në disa qytete të Turqisë, duke kërkuar rritjen e pagesave mujore. Ata argumentuan se pensionet aktuale nuk u mjaftojnë për të siguruar nevojat bazë.
Në korrik, pensioni minimal në Turqi ishte 23 552 lira turke në muaj, vlerë kjo që korrespondon me rreth 420 euro.
Ndërkohë, Shoqata e Policëve njoftoi se gjatë javës së kaluar ishin shënuar katër raste vetëvrasjeje mes punonjësve dhe ish-punonjësve të policisë. Bëhet fjalë për dy policë në detyrë dhe dy ish-policë.
Sipas raportimeve, një nga këto ngjarje ndodhi në Jallovë, ku një pjesëtar i forcave speciale, që kishte vetëm dy muaj në polici, vrau veten. Një rast tjetër u regjistrua në Manisa, ku një ish-polic i dha fund jetës në banesën e tij.
