Të shtunën, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe e përcolli atë në Kuvend për shqyrtim.
Të lidhura
None found
Ekzekutivi bëri të ditur se projektligji synon krijimin dhe organizimin e Byrosë, përcaktimin e kompetencave të saj, si dhe vendosjen e procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Në komunikatën e Qeverisë thuhet se është miratuar projektligji që përcakton themelimin, organizimin dhe kompetencat e Byrosë Shtetërore, si dhe procedurën që do të ndiqet për verifikimin e konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha në një konferencë për media se projektligji vjen pas një procesi të gjatë hartimi e rishikimi, ku janë marrë parasysh vlerësimet e institucioneve përkatëse dhe komentet e shoqërisë civile.
“Lajm jashtëzakonisht i mirë është edhe dërgimi në Kuvend i ligjit për Byronë. Që nga mandati i kaluar, ai ka pësuar disa ndryshime të lehta dhe është rikthyer për konsultim publik. Projektligji i proceduar në Kuvend duhet parë si rezultat i një procesi të tërë: është hartuar e rishikuar në disa faza, është vlerësuar nga Komisioni i Venecias, është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe është ndryshuar në bazë të gjetjeve të saj. Më pas është hapur sërish për konsultim publik, ku janë përfshirë në masë të madhe edhe komentet e shoqërisë civile”, deklaroi Gërvalla.
Gërvalla sqaroi se Byroja nuk do të vendosë përfundimisht për konfiskimin e pasurisë, pasi këtë kompetencë e ka gjykata.
“Ky ligj nuk krijon mekanizëm penal dhe Byroja nuk konfiskon pasuri. Projektligji parasheh një procedurë civile para gjykatës, me standarde të përcaktuara prove dhe të drejtë ankese. Byroja kryen punë përgatitore dhe analitike: mbledh, analizon e verifikon të dhëna dhe, nëse vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore, e paraqet çështjen në gjykatë. Ajo nuk merr vetë vendim për konfiskim. Vendimi përfundimtar për konfiskimin e pasurisë merret ekskluzivisht nga gjykata”, tha ministrja.
Ekspertët theksojnë se luftimi i korrupsionit është i rëndësishëm, por projektligji duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe të krijojë një mekanizëm që mund të funksionojë në praktikë. Sipas tyre, rezultatet varen nga funksionimi i institucioneve dhe zbatimi konkret i ligjeve.
Halilaj: Kuvendi duhet ta çojë deri në fund procedurën për Byronë e Konfiskimit
Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, e vlerësoi procedimin e projektligjit si hap të rëndësishëm. Ai rikujtoi se nisma e ka kaluar tashmë leximin e parë në Kuvend.
“Si jurist, e konsideroj hap të rëndësishëm procedimin në Zyrën e Kryeministrit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Projektligji e ka kaluar tashmë leximin e parë në Kuvend, ndërsa hapat e mëtejmë duhet të zhvillohen sipas rregullave parlamentare dhe kushtetuese.
Pas procedimit nga Qeveria, teksti kalon në shqyrtimet përkatëse dhe më pas trajtohet në komisionet parlamentare. Aty shqyrtohen amendamentet e mundshme, para se të shkojë për lexim të dytë në seancë plenare”, tha Halilaj.
Ai vuri në dukje se përpara se të vazhdohet me fazat e tjera, projektligji duhet të përputhet me standardet kushtetuese.
“Është e rëndësishme që vërejtjet juridike dhe kushtetuese të trajtohen siç duhet. Prandaj, rishikimi dhe harmonizimi i projektligjit me standardet kushtetuese janë të domosdoshme para vijimit të procedurave.
Synimi përmbajtësor është krijimi i një mekanizmi institucional që verifikon pasurinë e pajustifikueshme dhe e forcon luftën kundër korrupsionit. Byroja nuk është gjykatë dhe nuk vendos përfundimisht për konfiskimin; këtë e bën gjykata, sipas procedurave ligjore”, shtoi ai.
Halilaj e cilësoi nismën reformë që kërkon trajtim serioz, duke pasur parasysh se synon më shumë transparencë dhe llogaridhënie për pasurinë e pajustifikueshme.
“Kjo reformë meriton vëmendje serioze, sepse synon standarde më të larta të transparencës dhe llogaridhënies lidhur me pasurinë e pajustifikueshme.
Përtej debateve politike, rëndësi ka që procesi të përmbyllet në mënyrë kushtetuese e ligjore dhe që mekanizmi i krijuar të jetë funksional në të vërtetë.
Reformat kundër korrupsionit dhe për forcimin e llogaridhënies institucionale duhen mbështetur kur mbështeten në themele të qëndrueshme juridike.
Tash i takon Kuvendit ta përfundojë procedurën dhe të japë verdiktin e tij përfundimtar”, deklaroi Halilaj për “Bota sot”.
Burjani propozon panel me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë

Blerim Burjani komentoi projektligjin në një bisedë me “Bota sot”, duke shprehur shqetësime për mënyrën se si është luftuar deri më tani krimi i organizuar dhe pasuria e krijuar në rrugë të paligjshme.
“Kosova, me këtë infrastrukturë, asnjëherë deri më tash nuk e ka luftuar krimin e organizuar dhe milionerët e krijuar në mënyrë të paligjshme”, deklaroi ai.
Burjani tha se një panel i posaçëm gjyqtarësh e prokurorësh, i angazhuar në rastet e korrupsionit, mund të ishte një mënyrë për të arritur rezultate konkrete.
Ai sugjeroi gjithashtu përfshirjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, duke e parë këtë si mundësi për trajtim më efikas të rasteve korruptive.
“Shpresa e vetme që do të mund të jepte rezultat është një panel me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë. Këtu nuk ka kush të merret me këtë punë, ndaj nuk ka çfarë të komentohet”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.
