Të tjera detaje janë zbardhur nga operacioni i zhvilluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me BKH-në dhe nën drejtimin e SPAK, për goditjen e një grupi të dyshuar kriminal dhe aktivitetit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Endrit (Indrit) Doklen, i dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës.
Të lidhura
Dokle nuk është gjetur në banesën e tij gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të operacionit “Muri i Lartë”, ndërsa ndaj tij tashmë është në fuqi masa e arrestit.
Me lëshimin e urdhërarresteve të fundit për Bledar Cafin dhe Indrit Doklen, numri i personave që përballen me masa sigurie në kuadër të kësaj dosjeje ka shkuar në 17.
Hetimet e drejtuara nga prokurori i SPAK, Adnand Xholi, kanë nxjerrë në pah dyshime për lidhje të grupit të Rrajave me aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike dhe vepra të tjera të lidhura me krimin e organizuar.
Nga hetimet rezulton se aktiviteti i dyshuar kriminal shtrihej në disa qarqe të vendit, ndërsa dyshimet lidhen edhe me veprimtari jashtë territorit të Shqipërisë.

