Më 24 shtator 2023, veriu i Kosovës u trondit nga një prej sulmeve më të rënda që nga paslufta. Një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Rreshteri Afrim Bunjaku u vra, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën.
Të lidhura
None found
Pas përleshjes, policia vrau tre anëtarë të grupit dhe arrestoi tre të tjerë. Pranë Manastirit të Banjskës u zbulua një sasi e madhe armësh, pajisjesh ushtarake dhe dokumentesh, të cilat autoritetet kosovare i lidhën me përgatitjen e sulmit.
Më 26 shtator, dy ditë pas ngjarjes, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikoi pamje ku, sipas tij, shfaqej Milan Radoiçiq me pjesëtarë të grupit në Manastirin e Banjskës. Më 29 shtator 2023, Radoiçiq mori publikisht përgjegjësinë për sulmin.
Megjithatë, tre vjet më vonë, ai vijon të jetojë i lirë në Serbi. INTERPOL-i lëshoi fletarrestim ndaj tij më 7 dhjetor 2023. Autoritetet kosovare kanë shpallur gjithashtu në kërkim ndërkombëtar të akuzuarit e tjerë që ndodhen jashtë vendit.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë më 11 shtator 2024 ndaj Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë, për vepra penale që përfshijnë terrorizmin, financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parave. Në aktakuzë thuhet se grupi synonte shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin e tij me Serbinë.
Një ditë pas përvjetorit të parë të sulmit, në Gjykatën Themelore të Prishtinës nisi procedura ndaj tre të akuzuarve që gjenden në paraburgim. Ata u deklaruan të pafajshëm. Procesi vijon me shqyrtimin e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve. Për 42 të akuzuarit e tjerë, gjykata nuk e lejoi zhvillimin e gjykimit në mungesë.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë në aktakuzë, përgatitjet për sulmin kishin filluar më herët, ndërsa Radoiçiq kishte organizuar, armatosur dhe financuar grupin. Prokuroria pretendon gjithashtu se në këtë ngjarje kishin rol dhe mbështetje struktura të Serbisë. Këto pretendime janë pjesë e akuzave dhe do të shqyrtohen në procesin gjyqësor.
