Arnaud Denis, aktor dhe regjisor francez, ka vdekur në moshën 43-vjeçare duke iu nënshtruar eutanazisë në Belgjikë. Për shumë vite, ai vuajti nga probleme të rënda shëndetësore, të cilat sipas tij dhe përfaqësuesit të tij ligjor, kishin lidhje me ndërlikimet e një implanti për hernie.
Të lidhura
None found
I njohur për vënien në skenë të kryeveprave si “Lidhjet e rrezikshme” të Choderlos de Laclos dhe “Gratë e ditura” të Molierit, Denis mori vendimin për t’i dhënë fund jetës pas një periudhe të zgjatur dhimbjesh torturuese dhe humbjeje të rëndë të aftësive fizike.
Avokati i tij, Philippe Courtois, bëri të ditur se vendimi për eutanazinë u arrit pasi aktori u konsultua me tre mjekë në Belgjikë.
“Organizmi i tij nuk mbante më. Ai nuk kishte më kontroll mbi trupin e vet. Ndarja nga jeta e Arnaud Denis është rezultat i dhimbjeve të padurueshme që e munduan për muaj të tërë,” deklaroi Courtois për Agence France-Presse (AFP).
Fillimi i problemeve pas ndërhyrjes për hernie
Më 17 korrik 2023, Denis iu nënshtrua një operacioni për një hernie në ijën e djathtë, ku mjekët i vendosën një implant rrjetë polipropileni.
Sipas rrëfimeve të tij, menjëherë pas ndërhyrjes nisën një varg komplikacionesh dhe efektesh anësore. Këto simptoma vijuan edhe pas heqjes së implantit në Shtetet e Bashkuara në prill të vitit 2024.
Diagnoza e mëvonshme ishte encefalomielit mialgjik, në kuadër të sindromës ASIA, një çrregullim inflamator i shkaktuar nga reagimi i organizmit ndaj një substance ndihmëse. Dyshohej se implanti kishte provokuar një inflamacion kronik dhe çrregullime të sistemit imunitar.
Në fillim të vitit 2026, Denis rrëfeu për të përditshmen rajonale franceze “Dauphine Libere” se shëndeti i tij ishte përkeqësuar në mënyrë dramatike.
“Nuk dal dot më nga shtëpia, jeta ime shoqërore ka marrë fund, nuk kam më jetë. Më është zhdukur gjithçka që përbën dinjitetin e ekzistencës së një njeriu. Dhe gjendja sa vjen e keqësohet. Rroj si një i sëmurë me kancer në fazën e fundit. Mjekët nuk dinë çfarë të më ofrojnë më,” kishte pohuar ai.
Ankesa për komplikacionet mjekësore u mbyll
Më 5 janar 2026, Denis depozitoi një kallëzim në sektorin e Shëndetit Publik pranë Prokurorisë së Parisit, duke pretenduar se pësoi “dëmtime pa dashje”.
Sipas avokatit të tij, çështja u pushua në fund të muajit gusht për “mungesë të një vepre penale mjaftueshmërisht të provuar”.
Në 18 mars, Denis u shtrua në një repart të kujdesit paliativ në një spital belg, teksa priste që kërkesa e tij për eutanazi të merrte miratimin përfundimtar.
Në një deklaratë të hershme të këtij viti, aktori kishte thënë: “Njeriu e ndien thellë në qenien e tij kur është i dënuar pa shpresë”.
Avokati Courtois e ka përshkruar këtë rast si një shembull të asaj që ai e quan “një skandal i heshtur në shëndetin publik”.
Sipas tij, “mijëra pacientë” mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj implanteve me rrezikshmëri të lartë, pa u informuar siç duhet dhe pa një proces të plotë pëlqimi të mirinformuar, duke përjetuar pasoja të rënda dhe, në disa raste, të pakthyeshme.
Avokati thekson se një tjetër pjesë e problemit është se udhëzimet në fjalë u drejtohen profesionistëve të shëndetit dhe jo në mënyrë të drejtpërdrejtë pacientëve.
