Policia e Vlorës, ka vënë në pranga dy persona, të akuzuar se po transportonin gjashtë emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës, me synimin për t’i kaluar në mënyrë të jashtëligjshme drejt Greqisë e më tej në vendet e Bashkimit Evropian.
Aksioni me emrin e koduar “Kufijtë” u ndërmor nga efektivët e Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, si pjesë e përpjekjeve të intensifikuara për të goditur rrjetet që lehtësojnë kalimet klandestine të kufirit shtetëror nga shtetas të huaj.
Të lidhura
None found
Të arrestuarit janë A. D., 50-vjeç, dhe F. Ç., 59-vjeç, banorë të kryeqytetit. Arrestimi i tyre u bë në afërsi të vijës ndarëse me Greqinë, në zonën e njohur si “Pagane”, ku u ndaluan teksa ishin me dy makina. Sipas autoriteteve, me këto mjete do të siguronin transportin e paguar të gjashtë personave.
Ndërkohë, vetë emigrantët, me origjinë nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, janë proceduar në gjendje të lirë pasi hetimet treguan se kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri përmes kufirit tokësor me shtetin fqinj.
Si prova materiale, uniformat blu bllokuan dy automjetet që dyshohet se do të shërbenin për kryerjen e kësaj veprimtarie të paligjshme. Veprimet hetimore po vazhdojnë për të zbardhur të gjithë mekanizmin e këtij rasti si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të implikuar.
