Pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Kosovë është ngritur nevoja për unitet dhe koordinim institucional lidhur me veprimet e ardhshme. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u ka kërkuar institucioneve dhe subjekteve politike t’i lënë pas përçarjet dhe akuzat reciproke.
Të lidhura
None found
Sipas Haxhiut, Kosova në këtë periudhë ka nevojë për një qëndrim të përbashkët dhe bashkërendim të hapave që mund të ndërmerren më tej. Ajo ka bërë të ditur se për këto veprime tashmë kanë nisur diskutimet.
Ajo ka vlerësuar se situata duhet të trajtohet me prioritet dhe se çdo veprim i radhës duhet të koordinohet, në mënyrë që të mos ndërmerret ndonjë hap që mund ta vështirësojë më shumë pozitën e Kosovës ose atë të personave të dënuar në Hagë.
“Gjithçka tjetër mendoj që e vështirëson edhe pozitën e Republikës së Kosovës, por edhe vetë pozitën e personave që u dënuan me kaq shumë vite burgim. Prandaj edhe e theksoj që duhet të bashkëpunojnë, duhet ta kemi prioritet këtë çështje”, ka deklaruar Haxhiu, raporton RTK.
Ushtruesja e detyrës së presidentes ka thënë se në këto momente nuk duhet të ketë ndarje dhe përplasje rreth akuzave se kush është “spiun” apo “tradhtar”, por institucionet duhet të përqendrohen në koordinimin e hapave të mëtejshëm.
Haxhiu ka kritikuar gjithashtu vendimin e PDK-së për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe të Qeverisë, vetëm dy ditë para vendimit të Gjykatës Speciale. Ajo e ka cilësuar këtë veprim si të pakuptimtë në rrethanat aktuale.
I pyetur në hollin e Kuvendit për këtë çështje, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se aktualisht nuk shohin ndonjë përparësi më të madhe sesa nismën për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Të mërkurën, Gjykata Speciale në Hagë dënoi ish-krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim. Pas këtij aktgjykimi të shkallës së parë, janë bërë deklarime dhe kanë nisur diskutime për hapat e ardhshëm, përfshirë edhe fazën e apelit.
