Një 25-vjeçare humbi jetën në Igumenicë të Greqisë, ndërsa autoritetet dyshojnë se pas vrasjes qëndron ish-partneri i saj, 27 vjeç.
Të lidhura
None found
Penelope, siç është identifikuar viktima, punonte prej më shumë se një viti në një kompani që merrej me kultivimin e midhjeve. Një koleg e kujtoi atë si një vajzë të arsimuar dhe shumë të mirë, e cila kishte studiuar biologji dhe ushtronte profesionin e saj.
Sipas dëshmisë së të dyshuarit, mes tij dhe 25-vjeçares kishte shpërthyer një debat, gjatë të cilit u diskutua edhe për një detyrim financiar. Vasilis Nakos, kreu i sindikatës së punonjësve të policisë në Thesproti, bëri me dije se 27-vjeçari kishte pretenduar se i detyrohej para viktimës dhe se ishte takuar me të për të zgjidhur këtë çështje.
Pas përplasjes, i riu dyshohet se e goditi ish-partneren me thikë në qafë dhe u largua menjëherë nga vendi.
Gruaja u gjet më vonë e plagosur dhe pa ndjenja në një strukturë pranë shtegut të biçikletave. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipit të urgjencës, ajo kishte ndërruar jetë.
Fillimisht, gjatë komunikimit me policinë, 27-vjeçari deklaroi se ai dhe ish-partnerja ishin sulmuar nga katër persona me fytyra të mbuluara. Sipas versionit të tij të parë, agresorët ishin larguar më pas nga vendngjarja.
Megjithatë, ai e ndryshoi më vonë dëshminë dhe pranoi se kishte sulmuar 25-vjeçaren pas debatit mes tyre. Policia e lokalizoi pak kohë pas ngjarjes.
I dyshuari u gjet me plagë në kraharor, të cilat dyshohet se ia kishte shkaktuar vetes. Fillimisht ai u dërgua në spitalin e Igumenicës dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm të Filatit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mediat greke raportojnë se 27-vjeçari dhe viktima kishin pasur një lidhje, por ishin ndarë rreth një muaj më parë. Autoritetet po verifikojnë historikun e marrëdhënies së tyre, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në vrasje.
Ngjarja ka tronditur kolegët e 25-vjeçares, të cilët kanë thënë se ende nuk arrijnë ta besojnë atë që ka ndodhur.
