James Groves, 51 vjeç, është dënuar në Britani me 20 vjet e gjashtë muaj burg, pasi u shpall fajtor për një seri veprash seksuale ndaj një të miture.
Të lidhura
None found
Vendimi u dha nga Gjykata e Kurorës në Bristol. Sipas mediave britanike, Groves u gjet fajtor për 19 vepra penale, mes tyre nëntë akuza për përdhunim dhe një akuzë për përpjekje për të penguar drejtësinë.
Prokuroria pretendoi se vajza ishte abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur gjatë disa muajve, në një periudhë kur ajo ishte ende e mitur.
Gjatë seancave gjyqësore, e reja foli për ndikimin që abuzimi ka pasur në jetën e saj dhe në vitet e fëmijërisë.
“Jam vetëm një guaskë e vetes sime të dikurshme. Nuk mbaj mend pjesë të mëdha të fëmijërisë sime për shkak të asaj që bëri Groves dhe traumës që kam përjetuar”, dëshmoi ajo.
“Njerëzit më kanë thënë se nuk jam më vajza e ndritur dhe e gjallë që isha dikur. E kam humbur fëmijërinë time dhe nuk do ta rikthej kurrë”, shtoi viktima.
Gjatë hetimeve, ajo i tha policisë se Groves e kishte abuzuar seksualisht kur ishte e mitur.
Detektivi Ben Perrett, pjesë e Njësisë së Hetimeve Kriminale të Policisë së Avon dhe Somerset, e cilësoi çështjen si një rast “jashtëzakonisht shqetësues” të abuzimit të vazhdueshëm ndaj një vajze të re.
Sipas Perrett, Groves e kishte vënë vajzën në shënjestër dhe e kishte manipuluar për një kohë të gjatë. Ai dyshohet se përdori mashtrimin për të fituar besimin e saj dhe për të vendosur kontroll mbi të.
“Do të doja ta përgëzoja viktimën për guximin e saj për të folur dhe për të mbështetur hetimin. Guximi i saj ishte thelbësor për arritjen e këtij dënimi dhe për parandalimin e dëmeve të mëtejshme”, deklaroi Perrett.
Ai theksoi se policia do të vijojë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të abuzimit seksual, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona të cenueshëm.
Dënimi i Groves i dha fund procesit gjyqësor për 19 veprat penale, ndërsa viktima do të përballet për një kohë të gjatë me pasojat e abuzimit të rrëfyera gjatë gjyqit.
