Rezultatet e zgjedhjeve në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore dhe në Berlin kanë shtuar trysninë mbi qeverinë gjermane, duke e vënë ekzekutivin përballë një goditjeje të fortë politike.
Të lidhura
None found
AfD-ja e ekstremit të djathtë u rendit e para në Meklenburg-Pomerani, ndërsa në kryeqytet fitorja i shkoi Die Linke-s, e përfaqësuar nga kandidatja Elif Eralp.
Në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore, AfD-ja mori 38,2 për qind të votave, duke lënë pas SPD-në e kryeministres së landit, Manuela Schëesig, e cila siguroi 35,5 për qind. Pavarësisht vendit të parë të AfD-së, SPD-ja mund të mbetet në pushtet, pasi partitë e tjera nuk kanë shfaqur vullnet për të krijuar koalicion me të djathtën ekstreme.
Rezultati ishte veçanërisht i rëndë për CDU-në. Partia mori vetëm 4,9 për qind të votave dhe për herë të parë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë nuk do të jetë pjesë e parlamentit të landit.
Në Berlin, Die Linke u bë forca kryesore me 25,7 për qind të votave. E udhëhequr nga Elif Eralp, partia më shumë se dyfishoi rezultatin e saj, ndërsa fushata u përqendrua te çështja e strehimit dhe frenimi i rritjes së qirave. CDU-ja u rendit e dyta me 18,8 për qind, duke shënuar rënie të ndjeshme në raport me 2023-shin.
Pas përfundimit të votimit në dy lande, kancelari Friedrich Merz reagoi publikisht duke e cilësuar rezultatin e CDU-së si “katastrofë”. Megjithatë, ai la të kuptohet se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë dhe se qeveria e tij do të ndjekë kursin e reformave.
Merz deklaroi se përgjigjja ndaj situatës duhet të jetë përgatitja e Gjermanisë për të ardhmen dhe forcimi i saj, duke shtuar se e merr përsipër këtë përgjegjësi me synimin për ta çuar vendin përpara.
Ndryshe nga kancelari, përfaqësuesit e AfD-së e pritën rezultatin me vetëbesim të madh. Enrico Komning e përshkroi fitoren si “spektakolare”, duke theksuar se partia kishte marrë 20 për qind më shumë se në zgjedhjet e fundit. Sipas tij, AfD-ja ka një mandat të qartë për të qeverisur landin dhe është forca më e madhe atje, ndërsa hapi i ardhshëm do të jetë vlerësimi i rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme.
