Një reformë e re territoriale duhet të përfshijë ndryshime të thella në organizimin administrativ, financiar dhe zgjedhor të pushtetit vendor. Ky është vlerësimi i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë në raportin “Qeverisja Vendore në Shqipëri 2025”, ku thuhet se modeli aktual i qeverisjes vendore mbetet relativisht i centralizuar.
Shqipëria ka 61 bashki dhe rreth 39 mijë banorë për njësi vendore. Kjo shifër është më e lartë se mesatarja prej rreth 34 mijë banorësh në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rreth 22,455 banorë për bashki në Bashkimin Europian.
Të lidhura
None found
Raporti e rendit organizimin e brendshëm të bashkive ndër çështjet që duhet të trajtojë reforma e ardhshme. Edhe pse ish-komunat nuk kanë më statusin e njësive të qeverisjes vendore, në terren vijojnë të funksionojnë 312 njësi administrative, të cilat ruajnë kufijtë e mëparshëm.
Sipas Institutit, bashkitë janë konsoliduar në aspektin politik dhe financiar, por administrimi territorial vazhdon të jetë i copëzuar.
Në këto kushte, rekomandohet riformatimi funksional i njësive administrative, shoqëruar me digjitalizimin e shërbimeve dhe forcimin e demokracisë lokale. Qëllimi është që bashkimi i bashkive të mos krijojë distancë mes qytetarëve dhe shërbimeve apo proceseve vendimmarrëse, veçanërisht në zonat rurale.
Raporti propozon edhe një model decentralizimi asimetrik. Instituti për Bashkitë vlerëson se aplikimi i të njëjtit model kompetencash për të gjitha bashkitë nuk është efikas, pasi ato kanë dallime të mëdha në numrin e banorëve, kapacitetet financiare dhe potencialin ekonomik. Tirana, Durrësi dhe Fieri, për shembull, kanë mundësi dukshëm më të mëdha krahasuar me bashkitë e vogla rurale ose me ato që po përballen me tkurrje demografike.
Një pikë tjetër e theksuar në raport lidhet me financimin e kompetencave vendore. Sipas dokumentit, funksionet e kaluara te bashkitë pas reformës së vitit 2015 nuk janë shoqëruar në çdo rast me burime të mjaftueshme financiare, njerëzore dhe teknike. Për këtë arsye, këto përgjegjësi duhet të konsiderohen funksione të plota të bashkive, ndërsa fondet përkatëse duhet të përfshihen në buxhetet vendore.
