Senatorja demokrate amerikane Jeanne Shaheen u shpreh se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të ruajnë presionin ndaj Rusisë. Ajo paralajmëroi gjithashtu se Moska po e shton luftën hibride, çka ngre shqetësime për stabilitetin e Ballkanit.
Të lidhura
None found
Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë më 17 shtator, Shaheen, demokratja më e lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe bashkëkryesuese e Grupit të Vëzhguesve të NATO-s në Senat, foli për projektligjin e ri amerikan të sanksioneve kundër Rusisë, nevojat e Ukrainës dhe veprimtarinë e Moskës përgjatë krahut lindor të NATO-s.
Sipas senatores, projektligji i miratuar në Kongres me mbështetje të gjerë dypartiake synon sektorin financiar rus, oligarkët, si dhe të ardhurat nga nafta dhe gazi që përdoren për financimin e luftës. Masat përfshijnë edhe tarifa për shtetet që blejnë naftë e gaz rus dhe goditjen e flotës në hije. Zbatimi do të varet nga administrata amerikane, ndërsa Shaheen shpreson që Departamenti i Thesarit t’i vërë në zbatim menjëherë pas nënshkrimit të projektligjit nga presidenti Donald Trump.
Lidhur me mundësinë e një armëpushimi të kufizuar mes Rusisë dhe Ukrainës, ajo tha se rëndësi do të ketë mënyra e hartimit të marrëveshjes dhe niveli i seriozitetit të Moskës në negociata. Shaheen vlerësoi se deri tani Rusia nuk ka treguar gatishmëri për një proces të tillë. “Putin po tenton të na rraskapitë”, deklaroi ajo, duke thënë se presidenti rus po e zvarrit dialogun me administratën Trump dhe të dërguarit e saj, me shpresën që kundërshtarët të lodhen dhe të heqin dorë.
Shaheen shprehu shqetësim edhe për marrëdhëniet e Serbisë dhe të serbëve në Republikën Sërpska me Rusinë. Ajo tha se Moska mund ta konsiderojë Ballkanin një front të dytë të mundshëm, ndaj ruajtja e stabilitetit në këtë rajon është e domosdoshme.
Duke iu referuar pranisë së NATO-s në Kosovë dhe misionit EUFOR në Bosnje e Hercegovinë, senatorja theksoi se duhet garantuar gatishmëria e lartë e këtyre misioneve dhe monitorimi i afërt i situatës. Për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Shaheen tha se nuk e kishte shqyrtuar çështjen dhe për këtë arsye nuk mund të jepte koment.
