Të dhënat e fundit të Eurostat-it tregojnë se pothuajse gjysma e popullsisë në Shqipëri has vështirësi serioze për të përballuar kostot e jetesës çdo muaj.
Konkretisht, 32.9% e familjeve raportojnë se e mbyllin muajin me zor, ndërsa 13.4% të tjera e përjetojnë këtë situatë në formën më ekstreme, duke e cilësuar si shumë të vështirë mbijetesën e përditshme.
Të lidhura
None found
Këto dy grupe së bashku përbëjnë 46.3% të qytetarëve, të cilët ndeshen me sfida të mëdha për të mbuluar nevojat bazë, sipas statistikave të vitit 2023 për Shqipërinë.
Ky tregues e rendit vendin tonë në pozitën e dytë në kontinent, menjëherë pas Greqisë, ku situata është edhe më alarmante: 67% e grekëve deklarojnë se e kanë të vështirë ose shumë të vështirë të përballojnë shpenzimet e zakonshme mujore.
Në raport me mesataren e Bashkimit Europian, hendeku është thellësisht i dukshëm. Në vitin 2025, vetëm 17.6%zimet mujore e qytetarëve të BE-së raportuan probleme të ngjashme, ku 11.2% hasin vështirësi dhe 6.4% vështirësi të mëdha.
Edhe brenda rajonit ballkanik, Shqipëria mban një pozicion të pafavorshëm, teksa në Maqedoninë e Veriut kjo përqindje arrin në 43.8%, në Malin e Zi në 37.9%, dhe në Serbi në 31.2%.
Një nga shkaqet kryesore të kësaj pamundësie për të mbyllur muajin lidhet ngushtë me nivelin e pagave, i cili mbetet ndër më të ulëtat në zonë.
Gjatë vitit 2025, paga mesatare bruto në Shqipëri llogaritej rreth 860 euro në muaj, shumë më poshtë se në Serbi (1,290 euro), Bosnjë-Hercegovinë (1,245 euro), Mal të Zi (1,206 euro) dhe Maqedoni të Veriut (afërsisht 1,100 euro). E vetmja ekonomi rajonale me një pagë mesatare më të vogël është Kosova, me 713 euro bruto në po atë periudhë.
Diferenca bëhet edhe më e theksuar kur shikojmë treguesit e BE-së, ku paga mesatare bruto vjetore për një të punësuar me kohë të plotë arriti në 39,800 euro në 2024, ose rreth 3,317 euro çdo muaj. Kjo e bën akoma më të rëndë barrën financiare për familjet shqiptare, veçanërisht kur merret parasysh edhe rritja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve.
Në vitin 2025, indeksi i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 102.9% të mesatares së BE-së, duke tejkaluar për herë të parë standardin europian dhe duke e vendosur vendin në krye të rajonit për sa i përket shtrenjtësisë së produkteve ushqimore.
Metodologjia e Eurostat-it për këtë matje mbështetet në një pyetje të drejtpërdrejtë drejtuar familjeve: “Duke marrë parasysh të gjitha të ardhurat e familjes suaj, a arrini të mbyllni muajin, pra të paguani shpenzimet e zakonshme të nevojshme?” Përgjigjet kategorizohen në gjashtë nivele, nga “me shumë vështirësi” deri në “shumë lehtë”. Për të llogaritur treguesin e vështirësisë, Eurostat bashkon dy kategoritë më negative. Shpenzimet e zakonshme përfshijnë kostot e strehimit, por përjashtojnë ato të biznesit apo fermës.
Në nivel të përgjithshëm europian, në vitin 2025, 26.4% e popullsisë e përballonte jetesën lehtë ose shumë lehtë, ndërsa 56.1% e kalonin muajin relativisht lehtë ose me disa vështirësi. Kur grupohen të gjitha kategoritë që raportojnë të paktën disa probleme, rezulton se 42.5% e qytetarëve të BE-së hasnin sfida për të mbyllur muajin. Ky tregues varion ndjeshëm midis shteteve anëtare, duke filluar nga 18.3% në Gjermani dhe 19.8% në Holandë, e deri në 76.9% në Bullgari dhe 87.1% në Greqi.
