Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka publikuar një njoftim sigurie, përmes të cilit u kërkon shtetasve amerikanë të bëjnë kujdes për protestat e mëdha të paralajmëruara të mërkurën, më 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera kryesore të Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas përfaqësisë diplomatike amerikane, demonstratat e organizuara nga disa organizata mund të shkaktojnë tubime të mëdha, bllokim të rrugëve dhe vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin rrugor.
Qytetarëve amerikanë u është rekomanduar të kufizojnë lëvizjet pranë zonave ku banojnë dhe të mos udhëtojnë drejt territoreve ku pritet të zhvillohen protestat.
Ambasada paralajmëron se personat që do të kalojnë nëpër zonat e prekura mund të përballen me vonesa të gjata dhe probleme për të mbërritur në kohë në destinacion.
“Këto protesta mund të shkaktojnë turma të mëdha njerëzish, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të rënda të trafikut. Këshillohet të kufizoni udhëtimin në zonën e menjëhershme të banimit tuaj dhe të shmangni udhëtimin për në vendin e punës dhe shkollat nëse rruga juaj kalon nëpër zonat e prekura, pasi mund të mos jeni në gjendje ta përfundoni udhëtimin në kohën e duhur”, thuhet në njoftim.
Udhëzime të veçanta u janë dhënë edhe punonjësve të Qeverisë amerikane në Kosovë, të cilët janë këshilluar të mos kryejnë udhëtime të panevojshme pranë protestave. Për shkak të rrezikut për ndërprerje të mëdha të trafikut, personelit amerikan i është rekomanduar që më 16 shtator të mos i dërgojë fëmijët në shkollë.
Ambasada ka njoftuar se do të vijojë punën të mërkurën, ndërsa shërbimet konsullore do të jenë të kufizuara dhe do të ofrohen sipas nevojës.
Njoftimi është bërë në një ditë me rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi më 16 shtator në Hagë pritet të shpallet vendimi në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, ku akuzohen për krime lufte.
Afërsia e shpalljes së vendimit ka shtuar interesimin dhe vëmendjen e opinionit publik në Kosovë. Megjithatë, Ambasada e SHBA-së nuk e ka lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë protestat me vendimin e Gjykatës Speciale.
