Një turiste 17-vjeçare nga Gjermania ka denoncuar një sulm të dyshuar seksual, pas një mbrëmjeje të kaluar në një klub nate në Rimini të Italisë.
Të lidhura
None found
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur gjatë natës së premte, më 11 shtator, kur e mitura ndodhej në Itali për pushime së bashku me një grup miqsh.
Sipas mediave italiane, vajza u kthye në hotel në orët e para të mëngjesit në gjendje të hutuar. Ajo u tha miqve se nuk mbante mend çfarë kishte ndodhur gjatë natës, se dyshonte të ishte përdhunuar dhe kërkoi të dërgohej në spital.
Në urgjencë, 17-vjeçarja iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore dhe procedurave të parashikuara për rastet e dyshuara të dhunës seksuale. Raporti i mjekëve iu dorëzua Policisë së Shtetit italian, e cila ka hapur hetimet për rastin.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që amnezia e plotë e vajzës të lidhet me përdorimin e ndonjë substance narkotike. E reja ka deklaruar se gjatë mbrëmjes kishte konsumuar alkool.
Dëshmitë e mbledhura deri tani tregojnë se ajo ishte parë duke kërcyer me miqtë e saj në klub, përpara se të largohej nga aty së bashku me një të ri.
Policia ka identifikuar një 27-vjeçar, turist që po qëndronte në të njëjtin hotel me grupin gjerman. Gjatë kontrollit të kryer në dhomën e tij, autoritetet sekuestruan disa sende personale, si edhe telefonin celular.
I riu është marrë në pyetje dhe, sipas raportimeve, ka mohuar në mënyrë kategorike çdo dhunë ndaj 17-vjeçares. Ai nuk rezulton të ketë precedentë penalë dhe deri në këtë fazë nuk është marrë ndonjë masë ndaj tij.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet italiane pritet të përdorin rezultatet e ekzaminimeve mjekësore dhe analizave laboratorike për të përcaktuar rrethanat e sakta të asaj që ka ndodhur gjatë natës.
