Takimi i kryeministrit Edi Rama në Berat, ku po diskutohej ndarja territoriale, u përfshi nga përplasje të forta mes tij dhe një grupi përfaqësuesish nga Poliçani. Mes tyre ndodhej edhe aktorja Egla Ceno.
Në një prononcim për gazetarin e Top Channel, Bledar Korreshi, Ceno dha versionin e saj për zhvillimet në sallë. Ajo tha se kërkesa e saj ndaj kryeministrit kishte qenë vetëm që përfaqësuesit e Poliçanit të dëgjoheshin.
Të lidhura
None found
“Kishim ardhur si një grup përfaqësuesish të Poliçanit për të marrë pjesë në dëgjesën për Territorialen. Ky qytet e ka shprehur disa herë qëndrimin e tij. Ministri Demo u dha mundësinë të flisnin qytetarëve, por fjalën e morën vetëm 2 prej tyre.
Më pas ndërhyri kryeministri dhe tha: ‘Ok, ok, se nuk jemi në një mbledhje për të dëgjuar sa mirë jetohet në Poliçan’. Pas kësaj nisi një fjalim me pyetje dhe përgjigje të dhëna prej tij. Disa djem në sallë ngritën dorën për të replikuar, por askujt nuk iu dha mundësia të fliste”, tregoi aktorja.
Sipas saj, në fund të takimit ajo i kërkoi Ramës të lejonte përfaqësuesit të shpreheshin. “Kur mbledhja po shkonte drejt fundit, i thashë: ‘A mund të flasim, a do na dëgjoni?’. Ai më tha: ‘Dil jashtë’. Unë i thashë: ‘Po mo, dal edhe jashtë’, por ne kishim ardhur sepse na ishte thënë se kryeministri do të dëgjonte zërin tonë.
I thashë: ‘Dil jashtë, të lutem’. Ai m’u përgjigj: ‘Jo, mos m’u drejto kështu’”, deklaroi Ceno.
Ajo shtoi se Rama u ngrit i irrituar dhe urdhëroi ndërprerjen e takimit deri në largimin e saj nga salla. “U çua shumë i irrituar dhe tha: ‘Ndërpritet mbledhja derisa të dali zonja jashtë’. Në atë çast, i gjithë komuniteti u bashkua me mua dhe dolëm të gjithë jashtë.
Nga ana jonë nuk pati asnjë provokim. Unë thjesht kërkova që të na dëgjonte dhe të na lejonte të flisnim”, u shpreh Egla Ceno.
