Kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur se qeveria do të mblidhet sot për të miratuar një masë të re kundër rritjes së çmimeve të karburanteve, e cila parashikon uljen e TVSH-së nga 18 në 10 përqind.
Të lidhura
None found
Ky vendim pritet të merret një ditë përpara rishikimit të ardhshëm të çmimeve të derivateve nga Komisioni Rregullator i Energjisë. Sipas Mickoskit, ulja e tatimit duhet të sjellë edhe ulje të çmimit të naftës.
“Për karburantet kemi ndërmarrë tashmë masa, përfshirë uljen e akcizës për naftën dhe karburantin pa plumb. Sot do të zhvillojmë një tjetër seancë qeveritare, ku do të miratojmë uljen e TVSH-së nga 18 në 10 përqind. Presim që kjo të ndikojë në uljen e çmimit të naftës”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri tha se reduktimi i taksave do të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhurat e buxhetit të shtetit, por theksoi se objektivi kryesor i qeverisë mbetet ruajtja e standardit të jetesës së qytetarëve.
“Kjo masë do të ketë pasoja për buxhetin, megjithatë interesi ynë është mbrojtja e standardit të jetesës së qytetarëve. Nuk është e lehtë dhe do të vazhdojmë të luftojmë. Po përballemi me disa sfida, mes tyre edhe krizën më të madhe energjetike”, u shpreh kryeministri.
Mickoski vlerësoi gjithashtu se, edhe pse çmimet janë të larta, karburantet në Maqedoni do të vazhdojnë të kushtojnë më pak se në vendet fqinje.
“Çmimi i karburanteve do të mbetet dukshëm më i ulët. A është vërtet i ulët? Jo. Por është më i lirë se në vendet fqinje, ku paguajnë 150, 180 denarë e kështu me radhë”, tha Mickoski.
Masa do të diskutohet në mbledhjen e sotme të qeverisë, e cila zhvillohet pak para vendimit të radhës së Komisionit Rregullator të Energjisë për çmimet me pakicë të derivateve të naftës.
