Teknologjitë moderne dhe më efikase janë thelbësore për rritjen e sigurisë energjetike dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit, deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, në ceremoninë e inaugurimit të centralit të ri kogjenerativ të kompanisë “Tessa Energy” në Çair të Shkupit.
Të lidhura
None found
Hoxha tha se tranzicioni i gjelbër nuk nënkupton vetëm synime, por masa konkrete, veçanërisht në Shkup, ku lufta kundër ndotjes së ajrit mbetet një çështje e rëndësishme. Sipas tij, investimet në pajisje të reja dhe më produktive janë pjesë e kësaj qasjeje.
Gjatë aktivitetit, ku fjalën e morën edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe përfaqësues të kompanisë, u bë e ditur se faza e parë e investimit ka një vlerë prej 2.5 milionë eurosh.
Impianti përbëhet nga dy motorë gazi me rendiment të lartë. Ata gjenerojnë njëkohësisht 2.1 MW energji elektrike dhe 2.6 MW energji termike, ndërsa efikasiteti i përgjithshëm i shfrytëzimit të energjisë arrin deri në 90 për qind.
Një pjesë e rëndësishme e projektit është përdorimi i nxehtësisë së krijuar gjatë prodhimit të energjisë elektrike. Përmes sistemit të “Energy Ecolink”, kjo nxehtësi shërben për ngrohjen e ujit për rreth 500 amvisëri dhe 14 institucione në komunat e Çairit dhe Butelit.
Ministri Hoxha e cilësoi investimin si dëshmi të rolit që kanë bashkërisht aktorët e energjetikës dhe industrisë në krijimin e përmirësimeve në mjedis. Ai vlerësoi gjithashtu se projekti pasqyron mundësinë që sektori privat të orientohet drejt zgjidhjeve më të pastra dhe më efikase.
Në ceremoni u njoftua edhe nisja e fazës së dytë, e cila përfshin ndërtimin e një termocentrali të ri kogjenerativ me fuqi të instaluar prej 10.5 MW.
Ky investim pritet të kontribuojë në forcimin e rrjetit të ngrohjes qendrore dhe në shtimin e prodhimit vendor të energjisë elektrike.
“Projektet e këtij lloji tregojnë se rritja ekonomike, siguria energjetike dhe kujdesi për mjedisin mund të zhvillohen paralelisht, duke sjellë rezultate të prekshme për qytetarët”, deklaroi Hoxha, i cili uroi për përfundimin me sukses të projektit.
