Analisti dhe gazetari Mentor Kikia, komentoi në News24, ndryshimin në krye të Ministrisë së Brendshme, ku Besfort Lamallari u largua nga detyra dhe u zëvendësua nga Ervin Demo.
Sipas tij, rotacionet e shpeshta në drejtimin e ministrive kryesore nuk janë thjesht ndryshime administrative, por dëshmi e problematikave strukturore në mënyrën e qeverisjes.
Të lidhura
None found
Kikia theksoi se brenda një viti Lamallari ka drejtuar dy dikastere: për gjashtë muaj ka qenë Ministër i Drejtësisë dhe më pas ka marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme.
“Nuk besoj se Lamallari performoi mirë dhe këtu nuk besoj se është krejtësisht përgjegjësi e tij. Ministritë nuk mund të ndërrohen çdo tre javë sikur të jenë roje parkingu. Lëvizjet e shpejta dhe të shpeshta në institucione tregojnë ose paqëndrueshmëri, ose mungesë vizioni”, deklaroi ai.
Gjatë diskutimit, gazetari solli në vëmendje edhe idenë e përhapur se Ministria e Brendshme është vetëm një “ministri policie”, e lidhur kryesisht me rendin dhe luftën ndaj krimit. Ai rikujtoi se, që prej kohës së qeverisjes së Fatos Nanos, kur nisi ndarja mes rendit publik dhe pushtetit vendor, struktura e këtyre dikastereve ka kaluar disa herë në procese bashkimi dhe ndarjeje.
Në vlerësimin për ndryshimin e fundit, Kikia tha se ai lidhet edhe me reformën territoriale dhe kërkesat e pushtetit vendor.
Për këtë arsye, sipas tij, në krye të institucionit duhej një person me përvojë të drejtpërdrejtë në këtë sektor, profil që në kabinetin qeveritar e zotëronte më shumë se kushdo tjetër Ervin Demo.
