Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), ka depozituar më 11 shtator 2026 një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke e çuar në gjykatë përplasjen me institucionet ekzekutive.
Padia është paraqitur nga Zëvendëskryetari i GJKKO-së, Dhimitër Lara, kundër Ministrisë së Financave dhe Degës së Thesarit Tiranë, ndërsa në proces marrin pjesë edhe Avokatura e Shtetit dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, në cilësinë e personit të tretë.
Të lidhura
None found
Nisma ligjore lidhet me moszbatimin e pagesave për muajin Gusht 2026. Apeli i GJKKO-së kërkon që të shpallet e paligjshme dhe të shfuqizohet shkresa nr. 14110, datë 2 shtator 2026, përmes së cilës Ministria e Financave pezulloi urdhër-shpenzimet nr. 190 deri 196, të dërguara pranë bankave tregtare.
Gjykatës i kërkohet gjithashtu të detyrojë organet financiare që të ekzekutojnë menjëherë listëpagesat, të cilat mbështeten në Vendimin nr. 435 të KLGJ-së dhe Urdhrin nr. 73 të Zëvendëskryetarit të Apelit të GJKKO-së.
Sipas padisë, pagesat nuk duhet të kushtëzohen me rikthimin e parametrave të pagave të muajit Korrik.
Paralelisht me padinë, është kërkuar edhe vendosja e një mase sigurimi, me qëllim pezullimin e menjëhershëm të efekteve të aktit të Ministrisë së Financave dhe zhbllokimin e procedurës në sistemin e Thesarit.
Pretendimet ligjore të GJKKO-së bazohen te Vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese dhe akti i mëvonshëm i KLGJ-së. Në bazë të këtyre akteve, paga bazë referuese për Kategorinë I, Klasa I-2, është përcaktuar në vlerën 222,425 lekë për pagën e pozicionit, ndërsa për kualifikimin parashikohet një shtesë prej 14,000 lekësh.
Në arsyetimin e saj, gjykata kundërshton tejkalimin e kompetencave nga kontrolli financiar i pushtetit ekzekutiv. Sipas saj, ky kontroll nuk mund të shndërrohet në një mbikëqyrje administrative apo në pezullim faktik të akteve të vetëqeverisjes së pushtetit gjyqësor.
Padia ngre shqetësime edhe për bllokimin e pagave të administratës gjyqësore, për të cilën, sipas GJKKO-së, nuk ka asnjë debat apo pengesë ligjore.
Në të njëjtën kohë, gjykata pretendon se institucionet ekzekutive kanë ndjekur një qasje me dy standarde: detyrimet fiskale dhe shoqërore janë mbajtur mbi bazën e parametrave të pagës së re të rritur, ndërsa pagesat për punonjësit janë ndaluar në mënyrë arbitrare.
Ndërkohë, Gjykata Administrative ditën e sotme ka urdhëruar pagesën e gjyqtarëve të GJKKO-së.
