Një sulm rus ka goditur një qendër tregtare në zonën qendrore të Pavlohradit, në rajonin ukrainas të Dnipros. Sipas autoriteteve të Ukrainës, bilanci është të paktën katër të vdekur dhe mbi 60 persona të plagosur.
Të lidhura
None found
Ministri i Brendshëm ukrainas, Ivan Vyhivsky, bëri të ditur përmes Telegramit se goditja ndodhi gjatë ditës, në një moment kur në rrugët e qytetit kishte një numër të madh njerëzish.
“Rusët goditën një qendër tregtare në qendër të Pavlohradit. Në mes të ditës, kur kishte shumë njerëz në rrugë”, shkroi Vyhivsky.
Oleksandr Ganzha, drejtuesi i administratës rajonale të Dnipros, konfirmoi se katër persona kanë vdekur dhe më shumë se 60 të tjerë janë lënduar. Në mesin e të plagosurve ndodhen edhe tre fëmijë, të moshave 13, 14 dhe 15 vjeç.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se në fund të shtatorit pret të zhvillojë një takim me presidentin amerikan Donald Trump në Nju Jork. Takimi pritet të zhvillohet në kuadër të përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për rikthimin e negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës.
Gjatë një konference për shtyp në Kanada, Zelensky deklaroi: “Besoj se në fund të shtatorit do të kemi mundësinë të takohemi me delegacionin amerikan në Nju Jork”. Ai theksoi se pas bisedës me Trump mund të jetë “më i hapur” për çështjet që lidhen me negociatat për përfundimin e luftës.
Ndërkohë, Kremlini ka kundërshtuar pretendimet për një kërcënim me dron ndaj avionit të Zelenskyt, teksa ky i fundit po largohej nga Moldavia dy ditë më parë. Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, tha se një kërcënim i tillë “nuk ka ekzistuar kurrë”.
Peskov u shpreh gjithashtu se kërkesat e Moskës për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën mbeten të pandryshuara. Rusia kërkon që Ukraina të heqë dorë nga katër rajonet që Moska pretendon se i ka aneksuar, Donetskun, Luhanskun, Zaporizhzhian dhe Khersonin, si dhe të braktisë synimin për anëtarësim në NATO.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, i vetmi ndryshim i dy viteve të fundit është vlerësimi i Moskës se “situata në terren është bërë shumë më e keqe për Ukrainën”.
