Analisti Poli Hoxha, gjatë një interviste për News24, ka analizuar akuzat më të fundit që rëndojnë mbi Belinda Ballukun.
Hoxha vuri në dukje se hetimet për ish-zëvendëskryeministren kanë marrë një dimension ndërkombëtar. Ai është i mendimit se Prokuroria e Posaçme duhet t’i drejtohet parlamentit me një kërkesë të re për leje arrestimi.
Të lidhura
None found
“Klodian Braho, si drejtues i SPAK, po tregohet më i matur sepse synon t’i çojë hetimet deri në fund me prova të pakundërshtueshme, çka nuk është e thjeshtë për shkak të mungesës së bashkëpunimit institucional. Në rastin e Ballukut, pista hetimore është zgjeruar edhe jashtë territorit shqiptar, pasi çështja është tejet komplekse dhe kërkon kohën e vet. Unë parashikoj që SPAK të paraqesë një kërkesë të dytë për arrestimin e saj, duke u mbështetur në prova të freskëta. Këto gjetje të reja, që nuk ekzistonin në dosjen e parë, janë vërtet skandaloze. Akuzat janë tejet të rënda. Nëse kanë aq siguri, mund të veprojnë pa u konsultuar me parlamentin dhe ta ndalojnë në flagrancë. Këto protesta i kanë zhveshur Edi Ramës nga çdo legjitimitet,” deklaroi ai.
Gjatë bisedës, Hoxha trajtoi edhe udhëtimin e Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi se statusi “non grata” i ish-kryeministrit mbetet në fuqi. Sipas analistit, prania e Berishës në SHBA përbën një sukses në planin individual, por nuk ka ndonjë peshë për grupimin opozitar.
“Shpallja ‘non grata’ për Sali Berishën është ende aty. Simpatizantët e tij janë entuziazmuar se iu hoq ky sanksion, por vetë Departamenti Amerikan i Shtetit e pohon qartë, ndërkohë që Berisha vetë ka deklaruar se nuk ka qenë kurrë i shpallur ‘non grata’. Si mund të jetë hequr një masë, kur subjekti në fjalë pretendon se ajo s’ka ekzistuar kurrë? Faqja zyrtare e DASH-it nuk flet askund për heqje të këtij statusi. Kjo vizitë është një arritje personale për të, jo një triumf i PD-së,” përfundoi Poli Hoxha.
