Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do t’i vazhdojë punimet të premten, më 11 shtator, siç ka njoftuar ky institucion shtetëror.
Të lidhura
None found
Mbledhja është planifikuar të fillojë në orën 11:00, me zgjedhjen e nënkryetarëve në rendin e ditës.
Punimet do të vijojnë pasi Albulena Haxhiu u zgjodh të mërkurën kryetare e legjislaturës së 11-të. Kandidatura e saj mori 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime.
Zgjedhja e nënkryetarëve nuk u zhvillua në të njëjtën seancë, për shkak se subjektet politike nuk arritën pajtim nëse kandidatët duhej të votoheshin së bashku në pako apo veçmas. Gjithashtu, u deklarua se Lëvizja Vetëvendosje, e cila propozoi Ardian Golën për nënkryetar, nuk do t’i mbështeste me votë Vlora Çitakun, të propozuarën e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe Kujtim Shalën, kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosocës.
Emilija Rexhepi dhe Slavko Simiq u propozuan për pozitat e nënkryetarëve që u përkasin komuniteteve joshumicë. Propozimi i Simiqit shkaktoi një tjetër përplasje në parlament, pasi drejtuesi i Grupit parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq, tha se kandidaturën e Simiqit tjetër po e paraqiste “në emër të popullit serb”.
Albulena Haxhiu, në cilësinë e kryetares së parlamentit, i kërkoi Igor Simiqit që ta tërhiqte këtë deklaratë, por ai nuk e bëri një gjë të tillë.
Më pas, Haxhiu vendosi ta ndërpriste seancën, duke argumentuar se nuk ekzistonte pajtim për zgjedhjen e nënkryetarëve.
Procesi i konstituimit mund të përmbyllet vetëm pasi të zgjidhen pesë nënkryetarët e Kuvendit. Grupet më të mëdha parlamentare kanë të drejtë në tri prej këtyre pozitave, kurse dy të tjerat u takojnë komuniteteve joshumicë.
