Një dron rus shkeli hapësirën ajrore të Moldavisë, duke sjellë vonesën e nisjes së avionit me të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të udhëtonte drejt Norvegjisë, konfirmuan autoritetet moldave.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas evidentimit të dronit, Moldavia vendosi mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore. Avioni i Zelenskyt, i cili ndodhej në Aeroportin Ndërkombëtar të Kishinjevit, u lejua të ngrihej vetëm pasi zyrtarët vërtetuan se droni ishte rrëzuar. Associated Press raportoi se mjeti fluturues ra rreth 160 kilometra larg aeroportit.
Ambasadori moldav në Shtetet e Bashkuara, Vladislav Kulminski, deklaroi për CNN se ka gjasa që ngjarja të mos ketë qenë e rastësishme. Sipas tij, autoritetet nuk besojnë se dronë reaktivë me helikë kalojnë mbi territorin moldav vetëm për mbikëqyrje, pikërisht në kohën kur avioni i presidentit të Ukrainës gjendet në aeroport.
I pyetur nëse Zelensky mund të ketë qenë objektivi i dronit, Kulminski u shpreh se hetimet vazhdojnë dhe se është ende herët për një përfundim. Ambasadori theksoi gjithashtu se presidenti ukrainas e përdor rregullisht hapësirën ajrore të Moldavisë kur udhëton jashtë vendit.
Incidenti u bë publik fillimisht nga kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre. Në të njëjtën kohë, autoritetet e Moldavisë njoftuan edhe për hyrjen e një droni të dytë në hapësirën ajrore të vendit, i cili më pas vazhdoi fluturimin në drejtim të Rumanisë.
Që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, dronët rusë kanë depërtuar vazhdimisht në hapësirat ajrore të Moldavisë dhe Rumanisë. Presidentja moldave Maia Sandu i ka dënuar këto raste, duke i përshkruar shkeljet e hapësirës ajrore si “një kërcënim serioz për jetën e njerëzve”.
Pasi përfundoi vizitën në Norvegji, Zelensky u nis për në Kanada, ku pritet të zhvillojë një takim me kryeministrin Mark Carney. Presidenti ukrainas dhe bashkëshortja e tij, Olena Zelenska, do të qëndrojnë në Kanada deri të premten. Deri tani, Kremlini nuk ka reaguar lidhur me incidentin.
