Autoritetet gjermane po vlerësojnë mundësinë e vendosjes së masave më të rrepta ndaj të ashtuquajturës “flotë hije” ruse. Kjo flotë dyshohet se shërben për shmangien e sanksioneve ndërkombëtare dhe, në raste të caktuara, për veprime të dyshuara spiunazhi e sabotimi.
Të lidhura
None found
Në përbërje të saj bëjnë pjesë kryesisht cisterna të vjetra nafte, të amortizuara, me sigurim të pamjaftueshëm dhe me pronësi të paqartë. Megjithatë, ndalimi i këtyre anijeve paraqet vështirësi ligjore, pasi e drejta ndërkombëtare mbron lirinë e lundrimit tregtar në ujërat e detit të hapur.
Sara Nanni, deputete gjermane e të Gjelbërve dhe përgjegjëse për çështjet e sigurisë, e ka akuzuar qeverinë për një reagim të pamjaftueshëm. Sipas saj, Moska e shfrytëzon flotën hije për të financuar luftën kundër Ukrainës, si dhe politikën e saj agresive ndaj Europës.
Finlanda ka qenë ndër shtetet që kanë vepruar më me vendosmëri. Në fund të vitit 2024, autoritetet e këtij vendi ndaluan cisternën “Eagle S.”, e cila dyshohej se kishte dëmtuar një kabllo elektrike nënujore që lidhte Finlandën me Estoninë.
Kontrolle më të shumta ndaj anijeve të dyshuara se i përkasin flotës hije kanë vendosur gjithashtu Britania e Madhe, Franca dhe Suedia.
Në Gjermani, megjithatë, mbetet shqetësimi se forcimi i masave mund të rrisë tensionet me Rusinë. Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se përvoja e shteteve të tjera europiane tregon deri tani se veprimet më të ashpra nuk kanë shkaktuar një përshkallëzim të drejtpërdrejtë nga Moska.
