Dani Carvajal mund të vazhdojë karrierën në Premier League, pasi mbrojtësi spanjoll u është ofruar Liverpoolit dhe Manchester Cityt, ndërsa edhe Fulhami është kontaktuar për një transferim të mundshëm, raportojnë TEAMtalk dhe ElDesmarque.
Të lidhura
None found
34-vjeçari është aktualisht pa klub, pasi marrëveshja e tij me Real Madridin përfundoi më 30 qershor.
Pavarësisht largimit nga skuadra madrilene, Carvajal nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe po kërkon një ekip të ri ku të vijojë të luajë.
Liverpooli po analizon alternativa për të forcuar konkurrencën në krahun e djathtë të mbrojtjes. Jeremie Frimpong nuk duket se i ka bindur plotësisht drejtuesit anglezë, ndaj eksperienca e Carvajalit mund të ishte një vlerë e shtuar. Gjithsesi, vendimi do të lidhej edhe me gjendjen e tij fizike.
Edhe Manchester City konsiderohet një mundësi për mbrojtësin veteran nga Spanja.
Një tjetër klub që ka shfaqur interes është Fulhami, i cili drejtohet nga Alvaro Arbeloa. Megjithatë, kjo pistë shoqërohet me një pengesë, pasi marrëdhënia mes Carvajalit dhe trajnerit thuhet se ishte tensionuar gjatë kohës kur të dy ishin në Madrid.
Deri tani, Carvajal nuk ka arritur marrëveshje me asnjë prej këtyre tre klubeve dhe nuk është bërë asnjë njoftim zyrtar për të ardhmen e tij.
Spanjolli e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës te Real Madridi, me të cilin ka fituar shumë trofe, por tashmë po shqyrton një aventurë të re përpara se të vendosë hapin e ardhshëm profesional.
