Një defekt në sistemin e kontrollit të trafikut ajror ka shkaktuar anulimin e më shumë se 250 fluturimeve këtë mëngjes në 15 aeroporte të Mbretërisë së Bashkuar.
Të lidhura
None found
Të dhënat e platformës së gjurmimit të fluturimeve Flightradar24 tregojnë se ndikimi më i madh është vërejtur në aeroportet Heathrow dhe Gatwick.
Heathrow kryeson listën e aeroporteve të prekura, me 246 fluturime të anuluara deri në orën 06:00. Në Gatwick janë raportuar 33 anulime, ndërsa vetëm nga ora 07:00 deri në 08:00, në Heathrow u anuluan 16 fluturime.
Pasojat janë ndier edhe në aeroporte të tjera. Nga Manchesteri janë anuluar fluturime me destinacion Heathrow dhe Parisin, ndërsa në Glasgow janë prekur linjat drejt Heathrow, Luton dhe Gatwick.
Vështirësitë pritet të vijojnë edhe gjatë ditës, me vonesa dhe anulime të reja. Një ditë më parë, në aeroportet britanike u anuluan rreth 1,300 fluturime.
Eksperti i udhëtimeve dhe gazetari Simon Calder tha për Sky News se ndërprerjet do të kenë ndikim të fortë edhe sot. “Do të ketë dhjetëra anulime në mëngjes të fluturimeve që vijnë në Heathrow, sepse fluturimet nuk u realizuan gjatë natës”, paralajmëroi Calder.
